“Ka 10 vite që nuk prodhojnë një titullar”, ish-trajneri Dushi komenton situatën te Lushnja: Kjo është vonesë që vret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 16:10

“Ka 10 vite që nuk prodhojnë një titullar”, ish-trajneri Dushi komenton situatën te Lushnja: Kjo është vonesë që vret

Lushnja është një ndër ekipet e Kategorisë së Parë që nuk ka caktuar ende trajnerin. Nuk dihet nëse do të qëndrojë Agim Canaj apo do të afrojnë ndonjë emër të ri. Pa vendosur për stolin, nuk mund të nisë as ndërtimi i ekipit dhe aq më pak stërvitja. I shqetësuar për këtë situatë është edhe Llazar Dushi, ish-trajner i verdhejeshilëve.

Llazar Dushi

Në një opinion për gazetën “Panorama Sport”, ai ndalet edhe te kriza e akademisë dhe evidenton se u bënë 10 vite që nuk prodhohet një lojtar titullar.

“Kjo vonesë jep pasoja. Një sportist do kohë të marrë formën. Muskulatura atrofizohet. Nuk është në gjendje që t’i përgjigjet ngarkesës. U thirr, s’u thirr, u bë kontrata apo nuk u bë, janë procedura. Futbollisti duhet të jetë i gatshëm. Përveç problemeve, pastaj janë pa trajner. Flasim për një Lushnjë që ka një buxhet sistematik prej 400 milionë lekësh çdo vit. Veç këtij fondi që vjen nga bashkia, shtohen edhe të ardhurat e vetë klubit. Në këtë situatë, kemi një ekip që luan për të qëndruar në Kategorinë e Parë dhe i mungon elementi vendas.

Organika nuk furnizohet nga akademia. Çdo klub ka një strategji për ekipet zinxhir. Lushnja ka 10 vjet që nuk dërgon një lojtar në ekipin e parë, një titullar flas. Akademia nuk është funksionale dhe nuk ka rezultate. Për pasojë është problem përzgjedhja e elementit. Ekipi plotësohet me futbollistë të niveleve nënmesatare, që nuk kanë hapësira në ekipet e tjera. Vijnë lojtarë mbipeshë, lojtarë të papërgatitur, lojtarë që kanë kohë që nuk luajnë.

Lushnja nuk ka më lojtarë të vetët. Lushnja ka nevojë për një drejtor teknik ose përgjegjës akademie, që të ushtrojë kontrollin në zhvillimin harmonik, të futbollistit, në të gjithë komponentët. Klubi i futbollit të Lushnjës duhet të ketë një platformë dhe pjesë e platformës të jetë nxjerrja e elementit. Nuk mund të kesh një ekip me baza kur vijnë çdo vit një grup lojtarësh dhe ikin pasi u mbaron kontrata. Çdo gjë fillon nga e para”, përfundoi ish-trajneri.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"