K.Arbri: Tomori ia doli edhe prej… frikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2012 | 11:09

K.Arbri: Tomori ia doli edhe prej… frikës

Në Berat festa vazhdon. Mbijetesa në “play-out”, ndonëse u shoqërua me shumë emocione dhe ankth, ka ofruar një gëzim të ligjshëm. Frika ekzistonte, për më tepër kur gjithçka duhet të vendosej nga pika e bardhë e penalltive. Por, në fund, festa iu rezervuar vetëm Tomorit, pasi ishin pikërisht ata që triumfuan duke mbijetuar në elitë. Klodian Arbri, pa dyshim heroi i takimit të së shtunës kundër Besëlidhjes, për “Panorama Sport” rrëfen ato 120 minuta dhe momentin e penalltive. “Jam më shumë se i lumtur që siguruam qëndrimin në elitë, edhe pse vuajtëm për ta arritur këtë. Të jem i sinqertë nuk e kisha menduar se do të ishte kaq e vështirë kjo sfidë, pavarësisht se e vlerësuam shumë kundërshtarin. Por, ndoshta emocionalisht e mbivlerësuam më shumë seç duhet këtë finale. Ndoshta frika se mund të shkonim një kategori më poshtë na trembte më shumë se sa vetë rivali që kishim përballë. Gjatë gjithë javës jam përpjekur t’i karikoj djemtë për t’ua bërë sa më të lehtë këtë pragndeshjeje, por gjatë gjithë sfidës po vuanim faktin që nuk po gjenim golin dhe kjo po ndikonte psikologjikisht te skuadra. Edhe pse krijuam gjatë gjithë lojës volum, po dukeshim të paqartë dhe mund të them se nuk ishte kjo fytyra e kësaj skuadre, pasi jemi një ekip shumë herë më cilësor se ai që treguam në këtë sfidë. Por, fakti që ishim një sfidë të tillë finaleje, e cila vendoste fatin e gjithë sezonit tonë, po ndikonte së tepërmi. Dua të them se gjithë ai emocion që ne kishim në kokë po na transmetohej te këmbët duke mos na lejuar të dilnim në lojën tonë. Ndoshta një gol do të na bënte ta merrnim ndeshjen më me qetësi dhe ta kishim siguruar qëndrimin në Superligë, pa shkuar te penalltitë”, – tha kapiteni fillimisht.
Penalltitë Sa u përket emocioneve të penalltive, Arbri tregon se nuk donte të ishte ai që ta gjuante 11-metërshin e fundit. “Emocionet po arrinin kulmin, aq sa në fillim edhe unë kisha frikë për t’i gjuajtur 11-metërshat. Mirëpo, ngulmimi i trajnerit Gjoka dhe Kovaçit, më bëri që të merrja përsipër ketë moment delikat. Edhe në momentet që shokët e skuadrës gabuan isha me ta, duke u dhënë zemër, pasi edhe futbollistë të mëdhenj çoroditen para porte. Por, më pas, gjërat po shkonin mirë për ne dhe deri sa mbërrita në momentin kur penalltia do të ishte vendimtarja për sfidën. Fillimisht e mora topin i qetë, nën inkurajimin e shokëve dhe stafit dhe po shkoja drejt portës. Megjithëse, në momentin kur tifozët tanë po thërrisnin emrin tim, pata një moment stepjeje dhe emocioni, por në atë çast më erdhën në mendje gjithë vuajtjet e sezonit. Inkurajimi që vinte pas krahëve të mi, si dhe dy gjëra vërtetë të veçanta. Momenti i parë që mu kujtua ishte kur një natë më parë fizeoterapisti dhe ish-shoku im i skuadrës, Elton Fani, më dha “bekimin” duke më thënë se Zoti është i madh dhe ai, edhe pse vonë, vendos drejtësi në vend. Gjithashtu, më ndihmoi edhe një këshillë e Edmond Gjatës. Ai ka qenë ekspert në gjuajtjet e penalltive dhe kësisoj më tha, që duhet të shikoja se cilin krah preferon portieri dhe t’i gjuash në krahun e kundërt në gjysmëlartësi. Unë e kisha ndjekur me kujdes se si po sillej portieri Xhika gjatë gjuajtjeve të tjera dhe, kur erdhi radha ime, këtë bëra. Kjo më lumturoi, pasi ngriti peshë tifozët që kishin ardhur në Tiranë, si dhe një qytet të tërë”, – përfundoi Klodian Arbri.

Tifozët beratas, festë pas suksesit
Pas përfundimit të sfidës së “play-out”-it, ku Tomorit doli i fituar vetëm me anë të penalltive, tifozët beratas kanë festuar gjatë. Ata, menjëherë pasi kanë lënë “Qemal Stafa”-n kanë dalë në rrugët e Tiranës për të festuar qëndrimin sërish në Superligë. Madje, festa ka vazhduar edhe gjatë rrugës së kthimit për në Berat. Karvanët me makina të mbuluara nga flamurët e Tomorit kanë qenë prezent deri në orët e vona të darkës duke festuar nëpër rrugët e qytetit për një arritje të tillë. Po ashtu edhe nëpër rrjetet sociale tifozët beratas i kanë komplimentuar dhe uruar heronjtë e tyre për këtë arritje. Madje, ata janë përgëzuar edhe nga tifogrupet e tjera shqiptare për organizimin e bërë.
ELTON ÇELA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"