“Juvja kampione prej historisë”, Arrigo Saki: Maldini të qëndrojë me dinjitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 22:05

“Juvja kampione prej historisë”, Arrigo Saki: Maldini të qëndrojë me dinjitet

Arrigo Saki kundër titullit në tavolinë, por edhe kundër rinisjes së Serisë A me rreziqe. Ish-trajneri kuqezi është rrëfyer në një intervistë për “Il Corriere dello Sport”, ku nuk ka kursyer këndvështrimin e tij për shumë çështje të realitetit futbollistik në Itali.

Saki55

 A duhet të vazhdojë sezoni apo të ndërpritet përfundimisht?

Nëse numri i të infektuarve nuk rritet, atëherë them se mund të rinisemi, por me një premtim: Nëse diçka shkon keq, duhet të jemi gati për të konsideruar futbollin si gjëja më e rëndësishme mes atyre të parëndësishmeve.

 Pra, kush ndodhet në vendin e parë mund të shpallet kampion?

Jo, jo. Në një rast të tillë askush nuk fiton. Gjithsesi, unë jam optimist dhe shpresoj se pandemia do të na lërë të qetë, madje edhe që në shtator do të hapen stadiumet për publikun.

Silvio Berluskoni, ish-presidenti juaj te Milani, kërkon që kampionatet të ndalojnë. Sipas jush, po të ishte kryeministër, do ta bënte të njëjtën gjë apo do të kërkonte vazhdimin e sezonit? 

Silvio është i njerëzishëm. Pa dhimbjen e popullit dhe u turbullua. Edhe mua më ndodhi e njëjta gjë. Në ditët më të këqija të pandemisë fola me një mjek të një spitali milanez. Më tha se aty po vdisnin të gjithë e se ishte e vështirë të gjeje edhe një palë doreza. Më tregoi se kishin nisur përzgjedhje te njerëzit që kishin nevojë për oksigjen. Fjalë të tilla të çajnë nga brenda.

 Po Saki në krye të qeverisë e përballë rrezikut të një krize ekonomike a do të luante në sulm? 

Pa dyshim. Për të dalë nga ky moment nevojitet besim, por ne italianët jemi të prirur për të mos besuar. Në thelb, mosbesuesit janë pesimistë.

Gjermanët po i mësojnë ndonjë gjë Italisë?

Ata janë strategë dhe nga krizat e mëdha dilet me vizion për të ardhmen. Ne si italianë jemi taktikë dhe e kemi të vështirë për të kuptuar se sa i veçantë dhe delikat është ky moment historik në të cilin jemi.

Sa vendimtare do të jetë përvoja e kampionëve në sfidën për titull? 

Shumë, por rëndësi kanë edhe klubet. Dy vjet më parë Juvja humbte ndaj Interit në Milano dhe rrezikonte që Napoli ta parakalonte. Brenda dhjetë minutash Kuadrado e Higuain përmbysën gjithçka dhe blinduan titullin. Merita nuk u takon vetëm atyre. Arritjet e mëdha janë pjellë e karakterit që përçohet brez pas brezi dhe lëshon rrënjë në historinë e klubit.

Arrigo Saki

 Po thoni që Lacio nuk ka asnjë shans për t’u shpallur kampione? 

Lacio po ndjek një ëndërr dhe po fitoi titullin, do të duhet t’i heqim kapelën. Thënë kjo, historia bardhekaltër nuk mund të krahasohet me atë të Juves, por në të tilla momente ka shumë rëndësi tradita. Gjithsesi, Lotito ka treguar se ka koherencë.

Cili është mendimi juaj për pozicionin e Maldinit te Milani? 

Më erdhi shumë keq për largimin e Bobanit. E konsideroj një njeri shumë inteligjent për të cilin vlerësimi im është maksimal. Tani që Zvone nuk është, uroj që të paktën Paolo të qëndrojë. Siç thoshte Shekspiri, njeriu që humb dinjitetin, mbetet i mjerë përjetë.

Për ta mbyllur, kush është pasardhësi juaj më i denjë? 

Historia njeh tri skuadra që kanë kontribuar në zhvillimin e futbollit e kjo ka ardhur falë intuitës së trajnerëve të tyre. Ato janë Holanda e Rinus Miçelsit, Milani im dhe Barcelona e Pep Guardiolës. Futbolli ndërkohë vazhdon të zhvillohet dhe moduli ideal është ai që garanton mbajtjen e topit dhe vertikalizimet e rrufeshme.

Guardiola e interpreton më së miri këtë ide, megjithëse Siti vertikalizon më shumë se Barça. Për mua Pep mbetet më i miri. Italia mund të krenohet në këtë aspekt me Kapelon dhe Alegrin, dy trajnerë që dinë të menaxhojnë futbollistët dhe që kanë njohuri të jashtëzakonshme taktike.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"