Juventusi në ankth/ Dëmtimi i Dibalës një enigmë, edhe Morata vazhdon të mos stërvitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 14:36

Juventusi në ankth/ Dëmtimi i Dibalës një enigmë, edhe Morata vazhdon të mos stërvitet

Dukej se Juventus-Krotone do të kishte qenë ndeshja e duhur për të riparë Paulo Dibalën në fushën e lojës, pas një muaji e gjysmë mungesë, por papritur argjentinasi ka ndier sërish dhimbje dhe alarmi është ndezur sërish.

Morata-Dybala

Madje, makthi për numrin 10 bardhezi nuk duket se do të mbarojë, duke qenë se prej një viti, ai kurrë nuk ka mundur që të ketë vazhdimësinë që pritej: që nga goli i 8 marsit të kaluar kundër Interit, Paulo u infektua me COVID, më pas dëmtimi me Sampdorian, i vazhduar me ridëmtimin ndaj Lionit dhe që nga 10 janari 2021 kundër Sasuolos nuk ka mundur që të bëjë më shumë sesa një grusht minutash.

Madje, edhe analizat e fundit që iu nënshtrua 27-vjeçari flisnin për një problem të lehtë, maksimumi prej 2-3 javësh. Por, ndërkohë, po bëhen afro dy muaj që futbollisti qëndron jashtë dhe nuk ka shpresa që të luajë as me Veronën këtë fundjavë. Dhe pikërisht për këtë arsye, klubi bardhezi ka vendosur që ta urdhërojë Dibalën të udhëtojë në Barcelonë për kontrolle më të imtësishme, duke qenë se gjuri dhemb ende shumë dhe nuk dihet se si do të vazhdojë situata.

Madje, ky dëmtim është edhe problemi kryesor që ka ngadalësuar, për të mos thënë që po vë në dyshim edhe bisedimet për rinovimin e kontratës me “Zonjën e Vjetër”. Por, çfarë është më e keqja, për momentin nuk ka ende një datë fikse se kur trajneri Andrea Pirlo mund të mbështetet të cilësitë e numrit 10 bardhezi, duke parë që sezoni ka hyrë në pjesën e tij më të nxehtë.

EDHE MORATA JASHTË – Tri ditë nga transferta e “Bentegodit” kundër Veronës, të shtunën në mbrëmje në orën 20:45, Juventusi ka vazhduar stërvitjen dje. Trajneri Andrea Pirlo ka kërkuar t’i mëshojë më shumë aspektit atletik, duke parë se brenda një javë “Zonja e Vjetër” do të ketë tri impenjime në kampionat (përveç Veronës edhe me Specian e Lacion), përpara se të kërkojë të përmbysë ndeshjen në Champions me Porton.

Por, lajmet e këqija sa vijnë e shtohen në “Kontinaza”, duke parë se përveç problemit “Dibala” dje nuk është stërvitur as Alvaro Morata. Virusi në stomak që po shqetëson spanjollin prej më shumë se një jave vazhdon që të mos e lejojë 27-vjeçarin të jetë në formën e tij më të mirë dhe dje ai është lënë pushim, duke vazhduar kurat. Madje, duke parë situatën, Juventusi pritet që të mos e grumbullojë Moratën për transfertën veroneze, me sulmin që do të mbetet sërish në këmbët e Ronaldos dhe Kulusevskit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"