Juventusi merr Semedon, por Barça i bën… “gol”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 22:26

Juventusi merr Semedon, por Barça i bën… “gol”

Barcelona dhe Juventusi kanë arritur një marrëveshje paraprake në negociatat që do të dërgojnë Miralem Pjaniçin dhe Matia De Shiljon në “Camp Nou” dhe do të sjellin Nelson Semedon në Torino. Ky shkëmbim lojtarësh do të kompletohet me 25 milionë euro, që skuadra e Juventusit është e detyruar t’i paguajë Barcelonës për shkak të vlerës që ka në merkato Semedo.

semedo

Duket shumë e çuditshme, por gazeta katalanase “Sport” raporton se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Bëhet fjalë për një akord për të cilin është dashur përfshirja e shumë aktorëve të ndryshëm dhe janë bërë shumë orë diskutime mes drejtuesve katalanas dhe klubit italian, të dy të interesuar për të transferuar lojtarët me këto karakteristika.

Në këto momente, Semedo dhe Juventusi janë duke biseduar për detajet e vogla, të një transferimi që do të mbyllet në orët e ardhshme. Nga ana tjetër, kontratat e Barcelonës me Pjaniçin dhe De Shiljon janë realitet dhe mbetet vetëm që portugezi të arrijë marrëveshjen me Juven për ta zyrtarizuar këtë çështje. Sipas zërave, Semedo nuk ka bërë rezistencë si Artur Melo, por ka pranuar të largohet. Zhorg Mendesh është agjenti i portugezit dhe ky i fundit ka marrëdhënie të mira me Juventusin. Semedo ka një vlerë 50 milionë euro në merkato dhe ky çmim u pëlqen katalanasve për të rregulluar bilancet.

pjaniccc

Do të vijnë 2 lojtarë dhe 25 milionë euro që do të shërbejnë për të paguar një pjesë të kartonit të Lautaros. Në Spanjë raportojnë se Juventusi do ta ndihmojë Barcelonën që t’i prishë punë Interit për sulmuesin argjentinas. Me këtë operacion, Barcelona do të humbasë një mbrojtës që në 3 sezone ka dhënë kontribut për arritjen e objektivave dhe do të marrë një mbrojtës si De Shiljo që do të jetë rezervë.

“Zonja e Vjetër” do të transferojë një futbollist që e kërkonte edhe Interi dhe Mançester Siti. Zyrtarizimi i këtyre marrëveshjeve do të vijë shumë shpejt, por fillimisht ata duhet ta përfundojnë sezonin me skuadrat aktuale. Edhe në Champions, deri në gusht do të luajnë me ekipet aktuale, por nëse Liga e Kampioneve do të shkojë deri në shtator, atëherë ata do të transferohen për të luajtur me ekipet e reja.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"