Juventusi do përmbysjen me Lionin, Dibala nuk kalon testin. Ronaldo luan për rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 11:21

Juventusi do përmbysjen me Lionin, Dibala nuk kalon testin. Ronaldo luan për rekord

Paulo Dibala nuk ia ka dalë për ta nisur si tit ullar. Të paktën kjo është ajo që rezervuan pamjet e stërvitjes së djeshme, ku numri 10 bardhezi nuk arriti të kalonte testin e forcës, ndonëse vazhdoi që të stërvitej me topin, veçmas grupit. Ky është një lajm aspak i bukur për bardhezinjtë, ndonëse ka edhe nga ato media, të cilat mendojnë se ndoshta ky mund të jetë një blof edhe nga ana e trajnerit Mauricio Sarri, deri në momentin e fundit, përpara fillimit të ndeshjes për të kapur në befasi Lionin.

dibala
Gjithsesi, duke lënë mënjanë se diçka e tillë mund të jetë gjithashtu e vërtetë, pa Dibalën Mauricio Sarri do t’i besojë Gonzalo Higuainit në vijën e parë të sulmit, përkrah Ronaldos, por edhe Kuadrados që do të spostohet nga mbrojtja (aty ku pritet të luajë Danilo), në korsinë e djathtë të sulmit. Prandaj, në pritje për të kuptuar nëse Dibala do të jetë me skuadrën apo jo, diçka që do të mësohet paraditen e sotme, kur të zyrtarizohet edhe lista, pas kryerjes së tamponëve, Juventusi duket se e ka të detyruar formacionin, me dyshimin e vetëm në mesfushë mes Pjaniçit e Ramsejt.
ronaldo
RONALDO I KARIKUAR – Pa Dibalën, është normale që të gjitha shpresat e Juventusit të jenë të varura te Kristiano Ronaldo. Yllit portugez i kërkohet një tjetër mbrëmje magjike si ajo e sezonit të kaluar kundër Atletikos së Madridit, të cilën e përmbysi me një tripletë, pasi ishin mundur jo 1-0 si ndaj Lionit, por 2-0 me Atletikon, në Madrid. Për të karikuar edhe më shumë 35- vjeçarin juventin ka menduar dje edhe uebsajti i UEFA-s, i cili në një postim për CR7-ën ka dashur të kujtojë jo vetëm disa nga goditjet e tij mjeshtërore ndër vite, në kompeticionin ku ai mban rekordin e golave, por edhe faktin se nëse triumfon sivjet, Ronaldo do të bëhej i vetmi lojtar në histori që do të fitonte 6 Champions në karrierë.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"