Juventusi afron Moratën, “3-2-5” e Pirlos tani mund të bëhet realitet. Ja formacioni i mundshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 22, 2020 | 23:43


Juventusi afron Moratën, “3-2-5” e Pirlos tani mund të bëhet realitet. Ja formacioni i mundshëm

“Kur të kthehet Dibala do të mendojmë se si do të luajmë, por mos mendoni se unë kam frikë të hedh në fushë 3, 4 apo 5 sulmues. Unë dua të shoh sa më shumë cilësi në fushë dhe kjo është ideja ime e futbollit. Prandaj nuk keni pse habiteni nga asgjë”.

Pirlo

Ishte kjo një ndër frazat e Andrea Pirlos, në konferencën për shtyp, pas fitores me Sampdorian, e cila konfirmon edhe tezën e diplomimit, me të cilën “Maestro” mori pak ditë më parë licencën “UEFA Pro”, për të stërvitur në elitën e futbollit. Nëse kujtojmë, ideja e futbollit të Pirlos ishte ajo e të luajturit në thellësi dhe të zgjerimit të lojës nga krahët, por duke kërkuar gjithmonë thellësinë.

Në skemën 3-5-2 (3-4-1-2 më saktë, me një fantazist pas dy sulmuesve) që ai ka si bazë fillimi, ajo duhet të shndërrohej në një 3-2-5 në aksionet sulmuese, ose në një 4-4-2 kur humbej topi, me vetëm një prej mesfushorëve të krahut që duhej të tërhiqej mbrapa, jo të dy së bashku. Dhe kur mendon se tani, me ardhjen e Moratës, apo edhe me rikthimin e Dibalës, lojtarët ofensivë duket se bëhen pak si shumë, si do ta zgjidhte Pirlo këtë çështje luksi?

FORMACIONI

Shumë thjeshtë, që të gjithë në fushë nëse do të duhet, ose e thënë ndryshe: Morata-Ronaldo përpara, Dibala pas krahëve të tyre dhe me Kulusevskin (apo Kuadradon) e Duglas Kostën (apo Aleks Sandron) nga korsitë e mesfushës që të shtyjnë sa më shumë përpara. Në letër ideja është gati, tani të shohim çfarë do rezervojë realiteti…

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com