Ky Juventus perfekt, me një sezon rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2014 | 8:48

Ky Juventus perfekt, me një sezon rekord

Juventus kampionFesta, ashtu siç ishte premtuar nga tifozët, nisi që në orët e para të pasdites. Në hotelin ku akomodohej skuadra, 600 tifozë të Juves i kanë bërë vizitën e premtuar Antonio Kontes, të cilin e kanë ftuar të qëndrojë te Juventusi, aq sa e kanë detyruar trajnerin që të zbresë nga ballkoni dhe të dhurojë përqafime, fotografi dhe autografe, përpara fillimit të takimit. Surpriza ka vazhduar edhe më tej, me të gjithë “Juventus Stadium”-in që mbante në duar pankarta ku shkruhej “Con… te”, një frazë që simbolizon emrin e “strategut” 44- vjeçar të ndarë në dy pjesë, por që e përkthyer do të thotë “me ty”. Kaq ka mjaftuar që Konte të mallëngjehet, ndërkohë që Bergonzi vërshëllen fillimin e ndeshjes së fundit, kundër Kaljarit dhe Pirlo nuk humbet kohë. Minuta e 8-të dhe fantazisti ofron “perlën” e radhës, një goditje dënimi që ndalet në traversë, që do të shtyhet në rrjetë nga kurrizi i portierit Silvestri. Festa mund të fillojë, rekordi absolut dhe historik, ai i 102 pikëve, jo vetëm i Serisë A, por edhe i kampionateve më të mëdhenj në glob, është i garantuar. Për ta zyrtarizuar këtë arritje madhështore mendon Jorente, vetëm shtatë minuta më vonë, kur pas një goditjeje këndi përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe feston golin e 16-të në kampionat, të 18-in sezonal. Entuziazmi kap kulmin, por për ta bërë edhe më të zjarrtë dhe spektakolare këtë pasdite mendon Klaudio Markizio, në minutën e 40-të. Mesfushori kontrollon një top në ajër dhe, pas një piruete në zonë, godet me të djathtën duke vulosur shifrat në 3-0 dhe mbyllur përfundimisht çështjen e tri pikëve. Në pjesën e dytë protagonistë janë vetëm tifozët dhe koret e tyre, të gjithë për Konten. Ndërsa bardhezinjtë zotërojnë topin dhe lojën, qarkullojnë dhe kontrollojnë gjithçka deri në vërshëllimën e trefishtë të Bergonzit, që paraprin edhe paradën e yjeve juventinë, derisa kapiteni Bufon të ngrejë në qiell titullin e 30-të zyrtar të “Zonjës së Vjetër” në Serinë A, të 32- tin për tifozët e Juventusit, që kurrsesi nuk e pranojnë vendimin e anulimit të dy kampionateve, post-“Calciopoli”. Mirëpo festa nuk përfundoi këtu, vazhdoi madhështore në rrugët e Torinos e për t’u mbyllur në orët e para të mëngjesit të sotëm, me darkën tradicionale në një ndër lokalet më luksoze të qytetit.
Rekordet – Përveç 102 pikëve, pesë më shumë sesa rekordi i mëparshëm i Interit të Mançinit në sezonin 2006- 2007, bardhezinjtë si askush tjetër më parë në historinë e futbollit italian arrijnë t’i fitojnë të 19-ta ndeshjet e luajtura në shtëpi, duke lënë pas 18 fitore dhe 1 barazim të Milanit të Ançelotit (2005-2006). 33 fitore në 38 ndeshje të luajtura janë një tjetër rekord i vendosur nga skuadra e Kontes, e cila gjithashtu ka barazuar edhe shifrën e 106 golave sezonalë të shënuar, arritje historike juventine që u përkiste bardhezinjve të Trapatonit në sezonin 1992-1993. Me pak fjalë, ky Juventus sivjet nuk ka folur vetëm me lojë, por edhe me shifra marramendëse dhe rekorde.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"