Juventus luan me dy porta, edhe CR7 ka një çmim… shitjeje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 15, 2020 | 19:27


Juventus luan me dy porta, edhe CR7 ka një çmim… shitjeje

Drejtuesit e Juves dhe Andrea Pirlo po studiojnë lëvizjet e merkatos së kësaj vere për të rindërtuar skuadrën e së ardhmes. “Sportmediaset” shpjegon se Kristiano Ronaldo, siç garantoi edhe menaxheri i tij, Zhorzh Mendesh, as që ka ndërmend të largohet nga Torinoja, prandaj i sakrifikuari i madh për të financiar merkaton mund të jetë Paulo Dibala.

Ronaldo

Sepse trajneri Pirlo është gati të heqë dorë nga argjentinasi, pasi ai është i vetmi që mund të rikthejë Pol Pogbanë në Torino, në një shkëmbim kokë më kokë. Ose alternativa e dytë është arkëtimi i 100 milionë eurove, që vlen kartoni i Paulos (e duan Reali, Junajtid, por edhe PSG, Siti e Bajern janë në pritje), me të cilat mund të arrihet te kampionë të mëdhenj të mesfushës si Isko, apo edhe Toni Kros.

Drejtuesit e Juves, ashtu sikurse edhe trajneri i ri, e kanë kuptuar qartë se amnezitë më të mëdha, kampionët e Italisë i kanë në mesfushë, repartin ku duhet organizuar loja, për të arritur më pas topi tek ata që kanë detyrën për ta dërguar në rrjetë. Gjithsesi, vlerësimi për shitjen e Dibalës mund të hapë skenarë të rinj, sepse ndoshta plani që kanë në kokë drejtuesit e Juventusit pritet të vlerësohet edhe nga Ronaldo.

Ky i fundit kërkon të dijë me detaje se çfarë pritet nga merkatoja dhe si do të luajë skuadra e Pirlos. Por nëse idetë e trajnerit nuk përputhen me ato të portugezit, ky i fundit mund të ndërrojnë mendje dhe të largohet, me PSG-në që qëndron në pritje.

Dhe sërish sipas “Sportmediaset”, edhe Ronaldo, pavarësisht emrit të tij të madh dhe aseteve të marketingut që mbart në vetvete, është gjithashtu në merkato. Pavarësisht 35 viteve mbi shpatulla, CR7 ka sërish forca dhe klas për të shpenzuar dhe emri i tij vlen ende tonelata me flori. Prandaj, nëse dikush në Torino afrohet me një ofertë prej të paktën 60 milionë eurosh, Juventusi do ta merrte në konsideratë largimin e tij. Por nëse Ronaldo largohet, atëherë Dibala do të qëndronte. Shkurt, “Zonja” po luan me dy porta në merkato, me dy “xhevahirët” e saj.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com