Justifikimi i Romanjolit, kapiteni ndan përgjegjësitë: Gabuam të gjithë te goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 21:04

Justifikimi i Romanjolit, kapiteni ndan përgjegjësitë: Gabuam të gjithë te goli

Për 77 minuta ishte kapiteni i një skuadre që po përballonte pa shumë vështirësi kampionët e Italisë. Më pas Romanjoli u shemb nga driblimi i Dibalës, i cili, duke shënuar, fiku çdo shpresë milaniste për të dalë me pikë nga Torinoja.

romanjoli

Alesio Romanjoli merr përsipër përgjegjësitë dhe pas ndeshjes së djeshme doli përpara mediave për të analizuar ndeshjen, por edhe për të bërë në lloj “mea culpa” për golin e pësuar nga skuadra e tij. Mbrojtësi pranon vështirësitë dhe tregon rrugën për t’u ringritur, teksa shija e humbjes, sidomos e gabimit personal, duket se do ta ndjekë edhe në ditët në vijim.

Një ndeshje që mund ta kishit menaxhuar ndryshe apo jo? 

Më vjen keq. Mendoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë, por në futboll rezultati është aspekti që ka më shumë rëndësi. Shija e kësaj humbjeje është e hidhur dhe më shumë sepse mendoj se nuk e meritonim.

Përse Milani ka një tjetër qëndrim ndaj rivaleve teorikisht më të forta?

Nuk e di, por nevojitet që çdo ndeshje ta përballojmë sikur të ishte një finale. Në fillim të sezonit na ka munguar pikërisht kjo lloj qasjeje, sidomos ndaj ekipeve të vogla, të cilat i kemi përballur pa mendësinë e duhur. E dimë se kjo renditje nuk është në rregull dhe duhet patjetër të ndryshojmë ritëm.

Mendoni se i keni kompromentuar shanset për një vend mes katër të parave? 

Është ende shumë herët për të bërë bilance, por duhet të përveshim mëngët për të grumbulluar sa më shumë pikë në ndeshjet e radhës. Asnjëri prej nesh nuk dëshiron të jetë në këto pozita.

E ndieni veten veçanërisht fajtor në golin e Dibalës? 

Kur një ekip pëson gol, gjithmonë ekziston një gabim. Ata u afruan me shumë lehtësi pranë zonës sonë dhe unë isha shumë i avancuar. U mundova të ndërhyja, por Paulo u tregua i zoti, duke më dribluar dhe duke gjetur këndin e duhur për të shënuar.

Është e vërtetë se po provoni të luani me tre mbrojtës?

Nuk e di se si do të luajmë në të ardhmen. Trajneri është ai që vendos dhe ne bëjmë çfarë na udhëzon ai. Unë mund të flas për takimin e sotëm dhe e nënvijëzoj se luajtëm mirë. Uroj që kjo ndeshje të na ndihmojë edhe në të ardhmen.

Mbetet pengu që luajtët një ndeshje të madhe ndaj një ekipi po aq të madh? 

Juventusi është një skuadër shumë e fortë dhe kanë potencialin për të shënuar në çdo rast që hidhen në sulm. Sot (dje) ne u treguam të zotë dhe u mbrojtëm me rend gjatë shumicës së kohës. Juvja është një nga skuadrat më të mira në botë dhe fakti që kanë kaq shumë kampionë në organikë me siguri që i ndihmon…

Përgatiti: REINOLD BAKALLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"