Jurgen Vatnikaj, largimi i radhës nga Kastrioti. Krutanët vazhdojnë të humbasin titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2019 | 16:45

Jurgen Vatnikaj, largimi i radhës nga Kastrioti. Krutanët vazhdojnë të humbasin titullarë

Kastrioti do të ketë sërish në përbërje disa elementë nga sezoni i shkuar, por ndryshimet do të jenë të shumta.

Vatnikaj

Kontigjenti do të përforcohet në çdo repart për të mbuluar vendet e lëna bosh nga lojtarët e larguar. Kështu është deklaruar deri tani nga drejtues të skuadrës krutane, që po kërkojnë lojtarë jo thjesht për të mbuluar vendet bosh. Ata janë në bisedime me lojtarë cilësorë, në mënyrë që të ndërtohet një skuadër konkurruese për rikthimin në elitë. Jo më kot ky “mision” i është besuar një eksperti, siç është trajneri Ramadan Ndreu.

VATNIKAJ

Largimi i radhës nga Kastrioti duket se do të jetë sulmuesi Jurgen Vatnikaj. Lojtarit i ka përfunduar kontrata me krutanët dhe për momentin është i lirë. Gazeta mëson se 23-vjeçari kryeqytetas po sheh disa oferta dhe gjasat janë që të luajë për një skuadër tjetër sezonin e ardhshëm. Vatnikaj ka qenë titullar me fanellën e Kastriotit në Superiore dhe në Kategorinë e Parë do t’i shërbente këtij ekipi, por edhe ai pritet t’i shtohet listës së largimeve.

Nga Kastrioti janë larguar disa lojtarë me shumë peshë nga kampionati i fundit, si Julian Shehu që kaloi te Laçi, braziliani Roxher që ishte huazuar nga Kukësi, Herald Marku dhe Dajan Shehi që janë prezantuar tashmë te Vllaznia, si dhe mbrojtësi Bojom, edhe pse ky i fundit nuk është zyrtarizuar ende. Duke llogaritur edhe Vatnikajn, i bie që Kastrioti të ketë humbur më shumë se gjysmën e formacionit.

AFRIMET

Deri tani është zyrtarizuar vetëm mesfushori Xhulio Mehmeti si afrim. Pritet të bashkohen me Kastriotin edhe lojtarë si Ermir Rezi, Kristi Joti dhe Dashamir Xhika, me të cilët ka pasur bisedime nga drejtuesit e klubit krutan, por edhe të tjerë.

Ditët në vijim pritet të kompletohet gjithashtu edhe stafi i trajnerit Ramadan Ndreu me përgatitësin e portierëve. Pritet gjithashtu edhe një fizioterapist. Ndryshimet në formulën e kampionatit janë pritur pozitivisht nga krutanët, të cilët besojnë se do ta kenë më të lehtë arritjen e objektivit për kthimin në Superiore.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"