Junajtid, pas Crvenës, Lilës e Sëlltikut, për Milanin përsëritet 2007-ta. 14 vite më pas luhet një pjesë e historisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 9:16

Junajtid, pas Crvenës, Lilës e Sëlltikut, për Milanin përsëritet 2007-ta. 14 vite më pas luhet një pjesë e historisë

Shorti i djeshëm i Ligës së Europës sigurisht që sjell jo pak shqetësime për Milanin, duke parë forcën e kundërshtarit që i ofruan goglat, duke qenë se Mançester Junajtid është sivjet forca e dytë e kampionatit anglez.

Kaka 2

Por, në të njëjtën kohë, fati donte që t’u vinte përballë pikërisht “Djajtë e Kuq”, pasi Milani për të ardhur deri në 1/8-at e këtij turneu kishte ndeshur dhe kaluar gjatë rrugës Sëlltikun, Lilën dhe Crvena Zvezdën, një udhëtim që për fansat më të zjarrtë kuqezinj kanë një histori të jashtëzakonshme dhe shumë të lumtur.

Po flasim për sezonin 2006-2007 të Ligës së Kampioneve, ku Milani, për të arritur te ngritja e trofeut në fund të kompeticionit, kaloi pikërisht këto katër skuadra, përpara se të bënte festën madhështore dhe të pushtonte për të shtatën herë Europën.

Nëse kthehemi 14 vite prapa në histori, ajo tregon se Milani fillimisht kaloi serbët e Crvena Zvezdës në eliminatoret e Ligës së Kampioneve, për t’u bërë pjesë e grupeve; më pas u ndesh me francezët e Lilës në fazën e grupeve, ndërkohë që eliminoi në fazën finale si Sëlltikun (në 1/8-at e Champions-it), ashtu sikurse Mançester Junajtidin në gjysmëfinale, përpara se të hakmerrej me Liverpulin (2-1), për finalen dramatike të vitit 2005.

Dhe, pse jo, të gjithë tani shpresojnë që ky udhëtim i sivjetshëm, ndonëse në Ligën e Europës, të ketë të njëjtin përfundim për “Djallin”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"