Junajtid nuk heq dorë/ Barcelona refuzon ofertën e dytë të “Djajve” për De Jongun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2022 | 21:00

Junajtid nuk heq dorë/ Barcelona refuzon ofertën e dytë të “Djajve” për De Jongun

Mançester Junajtidit i është refuzuar një ofertë e dytë nga Barcelona për Frenki de Jongun, pavarësisht se e rritën atë në 65 milionë euro sipas gazetës spanjolle “Marca”.

FRENKI DE JONG

Mesfushori holandez është objektivi kryesor i merkatos së “Djajve” këtë verë, me trajnerin Erik ten Hag, i cili është i vendosur për t’u bashkuar me ish-talentin e tij të Ajaksit në “Old Trafford”. Por katalanasit duan për 25-vjeçarin të paktën 75 milionë euro. Gjigantët e Premier Ligës, të cilët ende nuk e kanë zyrtarizuar goditjen e tyre të parë të merkatos, pritet të rikthehen sërish me një ofertë të tretë.

Junajtidi i ofroi Barcelonës fillimisht 60 milionë euro plus 20 milionë bonuse dhe tani ka bërë një hap shumë të vogël duke e rritur ofertën me vetëm 5 milionë euro, e cila ka marrë përgjigje negative nga spanjollët. Skuadra blaugrana kërkon minimalisht 75 milionë eurot që paguan për ta transferuar yllin e Ajaksit në vitin 2019 dhe nuk kanë ndërmend ta ulin atë. Por Junajtidi po provon të negociojë për çmimin më të mirë, sepse janë të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë financiare të Barcelonës. Gjithsesi, këta të fundit nuk janë në nxitim.

Ata po bëjnë progres për lehtësimin e barrës financiare të rrogave të tyre. De Jong nuk ka dashur të largohet nga “Camp Nou” dhe pak ditë më parë tha se Barcelona është klubi më i mirë në botë. “Jam në klubin më të mirë në botë dhe ndihem mirë këtu. Nuk dua të largohem”, tha De Jong.

Por me shitjen e tij klubi do të lehtësonte një pjesë të mirë të problemeve financiare, ndërsa trajneri Erik ten Hag ka komunikuar gjatë këtyre ditëve për ta bindur futbollistin që të transferohet në Mançester. Holandezi po përpiqet të zëvendësojë mesfushorët që u larguan këtë verë nga Junajtidi: Pol Pogba, Nemanja Matiç dhe Huan Mata.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"