Junajtid më i dobët i 33 viteve, kërkojnë shpëtim te… Verneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 11:55

Junajtid më i dobët i 33 viteve, kërkojnë shpëtim te… Verneri

Humbja e Mançester Junajtid ndaj Bornmëthit i la “Djajtë e kuq” vetëm me 13 pikë pas 11 javëve të para të Premier Ligës, totali më i ulët i tyre në këtë fazë të kampionatit në 33 vitet e fundit. Hera e fundit që 20 herë kampionët e Anglisë kanë pasur më pak pikë ka qenë sezoni 1986/87, kur ata grumbulluan vetëm 11 nën drejtimin e Ron Atkinsonit.

timo verner

Ai sezon i tmerrshëm i “Big Ron” i kushtoi atij shkarkimin dhe uljen në stol të Sër Aleks Fergusonit më 6 nëntor 1986, i cili e renditi ekipin në fund në vend të 11-të. “Djajtë” kanë vendosur një tjetër rekord negativ këtë sezon. Skuadra e Solskjaerit ka shënuar vetëm 13 gola më pak që prej sezonit 2004/05.

Edhe numri i fitoreve të tyre deri tani (3) është më i ulëti që prej sezonit 1988/89. Disfata në Bornmëth i la ata në mes të klasifikimit me 4 humbje, rekord edhe ky që prej sezonit 1990/91. E me sa duket, tekniku norvegjez e ka identifikuar problemin që duhet të ndërhyjë me urgjencë. Sipas “Mirror”, Mançester Junajtid është gati të parakalojë Liverpulin në garën për të firmosur me sulmuesin e Lajpcigut, Timo Verner.

Sulmuesi gjerman, i cili cilësohet si një prej finalizuesve më të mirë në Europë, është prej kohësh në shënjestrën e Jyrgen Klopit. 23-vjeçari firmosi një kontratë të re 4-vjeçare me Lajpcigun në verë, kur ëndrra e tij për t’u transferuar te Bajerni i Mynihut dështoi që të materializohej.

Por marrëveshja përfshin edhe një klauzolë blerjeje prej vetëm 30 milionë eurosh. Pasi Junajtid dështoi që të zëvendësonte Romelu Lukakun pas shitjes tek Interi, Solskjaer ka kërkuar që të ndërhyhet në merkaton e janarit për të riparuar këtë dobësi. Verner do të preferonte një transferim në “Anfield” ku do të mund të punonte me një trajner që e admiron, i cili është edhe bashkatdhetari i tij. Por Junajtid beson se ata i ofrojnë atij diçka të parefuzueshme, një vend titullari, ndërkohë që në sulmin e Liverpulit, Verner do të kishte konkurrencë të jashtëzakonshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"