“Junajtid e meriton vendin e parë”, Klop sulmon Klatenburg: Nuk i bëra presion arbitrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2021 | 10:34

“Junajtid e meriton vendin e parë”, Klop sulmon Klatenburg: Nuk i bëra presion arbitrit

Një fitore kundër Mançester Junajtidit sot në “Anfield” përkthehet në vendin e parë për Liverpulin (falë golavarazhit). Një humbje dhe kampionët shkojnë -6 nga kreu. Matematika flet qartë për rëndësinë e duelit të dy skuadrave më të titulluara të Anglisë (20 herë kampion Junajtid, 19 Liverpuli) nesër në Premier Ligë. Për teknikun e Liverpulit, përkon edhe me ndeshjen e tij të 200—të në kampionat.kLOP

“Të fitosh një ndeshje futbollit kundër Junajtidit mjafton, nuk ka nevojë që të ketë një motiv special, – tha trajneri gjerman në konferencën për shtyp të së premtes. – Ne luajmë në shtëpi kundër Junajtidit dhe duhet të fitojmë. Kjo është ajo që mendojmë. Ata i meritojnë pikët që kanë grumbulluar deri tani, por sezoni është ende i gjatë”.

POLEMIKAT – Klop i kthen përgjigje edhe ish-arbitrit Mark Klatenburg, i cili e akuzoi për presion ndaj arbitrit të ndeshjes pasi gjermani u ankua për rekordin e penalltive të Junajtidit pas humbjes me Sauthemptonin. Klatenburg e quajti presion të pastër si ato të Sër Aleks Fergusonit deklaratën e Klopit “Junajtid ka fituar penallti këto dy vite, më shumë sesa unë në 5.5 vite”: “A jam i surprizuar që dikush po flet për atë që unë thashë pas ndeshjes me Sauthemptonin? Jo. A jam i surprizuar që Klatenburg flet për këtë? Është bukur që shumë kohë pas karrierës së tij ne mund të flasim gjithashtu për të.

Unë nuk jam Sër Aleksi për arsye të ndryshme. Ai (Klatenburg) tha se ne u përpoqëm të bënim lojëra mendjesh? Direkt pas ndeshjes me Sauthemptonin unë nuk mendova për asnjë sekondë për ndeshjen kundër Junajtidit në atë moment. Përpara ndeshjes me Sauthemptonin pashë statistikat për penalltitë, prandaj e përmenda. Ndoshta ai, po të ishte në situatën time, do t’i bënte këto lojëra, por unë nuk jam i aftë për to”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"