“Ju tregoj investimet e reja në infrastrukturë dhe planin për stadiumet”, Dervishaj: Ja e vërteta për dënimin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 15:55

“Ju tregoj investimet e reja në infrastrukturë dhe planin për stadiumet”, Dervishaj: Ja e vërteta për dënimin e Tiranës

Gjatë vizitës për punimet e stadiumit të Kukësit, Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF prej 16 vitesh, tha një batutë: “Do dënojmë Tiranën”. Vetë Dervishaj, në një reagim për “Panorama Sport”, sqaron gjithë kontekstin e një shakaje të momentit. Ai tregon investimin në “Zeqir Ymeri”, stadiumet e reja që do të ndërtohen, çështjen e fushës për stadiumin kombëtar si dhe investimet e reja të FSHF-së.

Dervishaj

DËNIMI I TIRANËS – “Ka qenë një batutë dhe vetëm ‘Panorama Sport’ e trajtoi drejt, si të tillë. Një punonjës i Kukësit tha se nuk është mbyllur kampionati dhe ishte thjesht një batutë e momentit. Unë si Arben i uroj Tiranës suksese në Kupat e Europës, sepse kampionati nuk fitohet me vendime, por fitohet në fushë. Arben Dervishaj nuk dënon, sepse nuk jam as pjesë e Etikës. Thjesht një batutë e thënë… Madje, vetë presidenti i Kukësit e di diçka të tillë, pasi Kukësi e ka uruar tashmë Tiranën për titullin”.

STADIUMI I KUKËSIT – “Pjesa e tribunës qendrore ka ecur mjaftueshëm dhe ka nisur procesi i rifiniturës. Janë mbaruar shkallaret dhe po punohet edhe në pjesën e nyjave sanitare për tifozët. Edhe dy tribunat e tjera janë thuajse të përfunduara. Ka nisur puna edhe për tribunën e katërt, që nuk ka ekzistuar. Po bisedohet me qeverinë që të jetë një investim shtesë, në mënyrë që me atë tribunë të kompletohet stadiumi me katër të tilla. Është vendosur që në atë zonë aty do të bëhet një fushë stërvitore, të cilën FSHF do ta përfshijë në projektin e ‘100 fushave’.

Projekti fillestar i dërguar në ministri ka qenë rreth 750 milionë lekë (të rinj). Me shtesat, duke përfshirë gjithçka, edhe shpronësimet, shtohen rreth 200 milionë lekë (të rinj). Në total, mund të përfundojë me 950 milionë lekë – 1 miliard lekë (të rinj). Në përfundim, mund të tentohet që të jetë një stadium i kategorisë 4, që mund të luhen ndeshje edhe të fazave të grupeve në kompeticionet europiane. Besoj se pas dhjetorit, Kukësi do ta ketë të përfunduar stadiumin e vet. Nëse nuk do të ketë më vonesa, siç ndodhi prej pandemisë. Brenda javës do të largohen makineritë për të nisur punimet për fushën. Do të jetë me bar natyral. Bëhet fjalë për një stadium prej 6500 vendesh”.

AIR ALBANIA” – “Në stadiumet e mbuluara, fushat kanë problematika. Testuam dhe studiuam këtë fushë edhe për periudhën e verës. Fusha është në gjendje shumë të mirë dhe për periudhën e dimrit do të ketë sistem ngrohjeje me llamba në vetëm dy krahë, dy komplete. Në vjeshtë besoj se do të arrijmë t’i marrim. Po bëhet mirëmbajtja rutinë dhe po mbyllen detajet e fundit”.

2 MLN EUROT – “‘Qendra Sportive Kuqezi’ ka përgatitur të gjithë dokumentet e investimit. Do të bëhet mbledhja e asamblesë, me titullarët e shtetit dhe federatës dhe do të vendoset se si do të shlyhet pjesa nga ortaku shtet, i cili ka 25%, për ndërtimin. Deri tani, FSHF ka mbuluar të gjitha detyrimet”.air albania

SELIA E FEDERATËS – “Selia është e përfunduar dhe janë duke u bërë riparimet e fundit dhe mobilimet. Po punohet që të ndërtohen menjëherë dy tribunat dhe një prej fushave. Besoj se vitin tjetër të jetë përfunduar çdo punim në shtëpinë e futbollit”.

STADIUMET – “I pari stadium është ai i Fierit. Nuk do të bëhet rikonstruksion i atij ekzistues, por një i ri në hyrje të Fierit, me rreth 8000 spektatorë. Në fillim të vitit të ri mund të startojnë prokurimet dhe më pas punimet. Bëhet fjalë për një investim me rreth 10-12 milionë euro ndërtim, të investuar nga FSHF-ja, Bashkia e Fierit dhe qeveria. Një tjetër stadium ku mund të ndërhyhet do të jetë ai i Kavajës. Bashkia e Kavajës ka bërë një bisedë dhe kanë alokuar një sërë fondesh. Po studiohet mënyra që të plotësojë kriteret për kategorinë 3. Ne jemi të hapur për të investuar në çdo stadium, me formulën ku FSHF të investojë 1/ 3-ën, po aq sa qeveria dhe po aq sa bashkia”.

INVESTIMET – “Strategjia e federatës është që të ketë një masivizim të futbollit shqiptar. Federata paguan shumë për zhvillimin e futbollit të femrave dhe tani kërkojmë që të rritet numri i futbollistëve, te fëmijët dhe të rinjtë. Ne duam që të rrisim sasinë e fushave me projektin e ‘100 fushave’, ku kusht i vetëm është që të jenë të reja dhe jo ekzistuese. Do të jetë fushë me sistem mirëmbajtjeje, sistem vaditjeje dhe dhomat e zhveshjes. Presim përkrahjen e qeverisë pasi nga shumë bashki kemi përgjigje pozitive. Do të bëhet një fushë në Bulqizë”, ka deklaruar Arben Dervishaj për “Panorama Sport”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"