Jovetiç super, Siti i jep leksion Liverpulit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2014 | 8:24

Jovetiç super, Siti i jep leksion Liverpulit

Siti-Liverpul 3-1Liverpuli në sytë e lojtarit të sapo transferuar Mario Baloteli merr një leksion të vërtetë në shtëpinë e Sitit. Humbet 3- 1 në “Etihad”, por nuk e meriton me të tilla shifra, veçanërisht sepse luajnë më mirë se të zotët e shtëpisë në pjesën e parë. Megjithatë, ata ndëshkohen nga cinizmi i Jovetiçit, në formë fizike fantastike, duke bërë tifozët që të harrojnë vështirësitë e sezonit të shkuar.
Jo Jo – Pelegrini konfirmon sulmuesin malazez në sulm, duke lënë sërish në stol Agueron. Nga ana tjetër, Roxhers i jep shansin e debutimit Morenos në korsinë e majtë të mbrojtjes. Liverpuli e nis menjëherë në sulm dhe luan hapur. Sterling në të djathtë tërbon Klishinë dhe Demikelisin, por miqve u mungon depërtimi në 16 metrat e fundit. Ndërkohë që vendësit e kanë më të vështirë manovrën dhe provojnë nga distanca me Turenë. Por golin që zhbllokon ndeshjen e shënojnë ata, 4 minuta nga fundi i pjesës së parë, falë një gafe të Morenos. Spanjolli fle pas një spondi në zonë dhe Jovetiç përfiton, duke shkarkuar të djathtën potente mes këmbëve të Minjolet.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë nis si i pari, me nënkampionët në sulm. Vetëm 4 minuta dhe Starrixh përfiton nga gafa e parë e Kompanisë, duke dërguar krosimin e Xhonsonit në rrjetë. Sa keq, sepse anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Siti trembet dhe nis të shtyjë përpara. Dhe goli i dytë është fryt i një aksioni manuali: Xheko çmarkon Nasrinë me thembër, ndërsa krosimi i ulët i francezit gjen Jovetiçin e harruar në zonë, i cili nuk i lë shans Kutinjos për të shpëtuar pasqyrën e portës së Minjoletit (55′). Për Liverpulin ndeshja merr fund, edhe pse Roxhers provon kartën Markoviç, duke hequr Kutinjon. Debutuesi serb jep shkëndija, por Moreno dhe Starrixh nuk i shfrytëzojnë si duhet. Kur ky i fundit godet drejt portës, është Hart që i shpëton kampionët. Vendësit vendosin ta vrasin përfundimisht ndeshjen me “killerin” Aguero, i cili ka vetëm 23 sekonda në fushë. Navas pret gjithë fushën nga thellësia dhe argjentinasi lë pas Lovrenin për të mposhtur portierin belg në dalje. Goli i Kun vendos rekordin e golit të dytë më të shpejtë të një zëvendësuesi pas golit të Apostolios Velios kundër Çelsit më 2011-’12 (17 sekonda). Por ka kohë edhe për një gol tjetër të Mançesterit, por kësaj radhe në portën e tyre. Zabaleta shtyn në rrjetë një top të pritur nga Hart pas goditjes me kokë të Lambertit, i cili ka edhe topin e 3-2, por gabon. Ishte shansi i fundit. Debutimi i Balos në tribunë është i tmerrshëm. Por të paktën mbrëmë nuk mund të thuhet se ishte faji i tij…
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"