Jovanoviç nis “sitën” te Luftëtari, largohen 2 futbollistë nga gjirokastritët
Mario Kame dhe Ledion Mehmeti largohen nga Luftëtari. Miqësorja e fundit me Orikun i ka mjaftuar Marko Jovanoviçit për të bërë “seleksionimin” e parë pas tri javësh përgatitje. Sulmuesi i ardhur nga Devolli (Kame) dhe mbrojtësi prej Apolonisë nuk kanë bindur trajnerin e bluzinjve.
“Unë i kam të qarta idetë e mia për lojtarët që kam stërvitur dhe vëzhguar gjatë këtyre ditëve. Aktualisht kam në skuadër 11- 12 lojtarë, pak për një ekip si Luftëtari që synon ringritjen”, deklaronte edhe pas fitores 2- 1 me orikasit serbi. E megjithatë, Kame dhe Mehmeti nuk do të jenë të fundit në listën e spastrimeve. Emra të tjerë pritet të kenë fatin e dy futbollistëve në ditët në vijim.
Nën urdhrat e dyshes, stafit teknik prej ditësh janë futbollistë si Rivaldo Bakaj, Xhoisi Lamaj, David Bocaj, Fransis Lamptei, Ejon Mokoko, Shyqëri Xhepa, Aulon Velaj apo Armand Tare. Nëse për individë si Bakaj, Bocaj apo afrikanët Lamptei dhe Mokoko sinjalet janë pozitive, e njëjta gjë nuk vlen për Xhepën, Velajn, Taren apo dhe ndonjë tjetër. Gjithsesi, stafit teknik do t’i duhet edhe pak ditë për vendosur pikat mbi “i”.
Njeriu i cili ka gjithë të drejtën që të përcaktojë se kush do të jetë apo jo pjesë e organikës për sezonin 2020- 2021 është vetëm Marko Jovanoviç. Klubi i ka dhënë dorë të lirë trajnerit, ndaj edhe ai po përpiqet që të zgjedhë më të mirën brenda mundësive që i janë krijuar.
Tomor Shehu
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"