Josës i është mërzitur Shqipëria: Dua të bëj diçka ndryshe jashtë vendit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2017 | 20:07

Josës i është mërzitur Shqipëria: Dua të bëj diçka ndryshe jashtë vendit

Mirel Josa është prezantuar gjatë pasdites së sotme si drejtori i ri teknik i skuadrës së Prishtinës, me të cilën ka arritur një akord pas kontakteve të vazhdueshme me presidentin e klubit, Remzi Ejupi. Trajneri që ka drejtuar shumë skuadra në Superiore, pranoi këtë sfidë të re, për faktin se dëshironte të bënte diçka më ndryshe nga ajo që kishte përjetuar në Shqipëri në vitet e fundit.

mirel josa ejupi

“Normalisht, kur më është bërë propozimi nga kryetari Ejupi për të ardhur për ta ndihmuar situatën në klubin e Prishtinës dhe për të sjellë një situatë më të mirë për klubin, unë u tregova i gatshëm dhe jo për faktin se unë isha i lirë, por sepse dua të bëj një gjë më ndryshe jashtë vendit tim, pavarësisht se brendapërbrenda Shqipërisë jemi.

Do të mundohem që me të gjitha mundësitë e mija të ndihmoj komplet klubin në plotësimin e objektivave që ka. Dhe objektivat m’i bëri të qarta kryetari dhe uroj që punën time të bazoj në sinqeritetin që kemi ndërmjet palëve që gjithçka të ecën sa më mirë duke futur këtu edhe futbollistët dhe stafin teknik, qoftë edhe stafin drejtues të klubit.

Besoj që çdo gjë do të shkoj mirë dhe më vonë vazhdimësia e gjithsecilit do të shihet në bazë të rezultateve dhe sinqeritetit në mes palëve, unë me klubin. Gjithçka të jetë reciproke, sepse unë kështu jam mësuar të punoj në çdo klub që kam qenë dhe në këtë mënyrë të bëj punën në vazhdimësi”, ishin fjalët e Josës në prezantimin e tij.

I pyetur rreth idesë për të marrë më vonë drejtimin e skuadrës së trajner, Josa ka bërë të qartë se ajo ishte nën urdhrat e trajnerit Thaqi dhe priste që të bashkëpunonte ngushtë me të.

“E kam ndjekur skuadrën e cila ka lojtarë cilësorë brenda. Unë njihem edhe me trajnerin Thaqi, sepse e kemi kryer së bashku kursin e UEFA Pro dhe kam mendim shumë të mirë për Arsimin. Nuk do t’i ndërhyj në punën e tij si trajner.

Në qoftë se do të kërkojë ndonjë sugjerim do ta ndihmoj, sepse ai e njeh më mirë situatën brenda grupit dhe e njeh gjendjen më të mirë aktuale dhe duke e njohur se çfarë të më sugjerojë për ta ndihmuar, sepse çdo trajner merr përsipër të gjitha duke i bërë planet stërvitore dhe e merr përsipër vetë. Por, duke e pasur një konsensus bashkë në këtë drejtim, atëherë gjithçka do të bëhet në të mirë të klubit”, deklaroi Josa.

Ndërsa presidenti Ejupi, u shfaq shumë i lumtur që kishte arritur të afronte një figurë me kaq shumë eksperiencë në futbollin shqiptar.

“Me ardhjen e Josës ne besojmë që do të forcojmë organizimin tonë, duke e marrë parasysh që Mireli është prej trajnerëve të dëshmuar dhe besoj që eksperienca e tij në kampionatin shqiptar dhe gjithashtu paraqitjet në arenën ndërkombëtare me Skënderbeun do të na ndihmojë shumë në të ardhmen që Prishtina të arrijë aty ku e ka vendin”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"