Josa vë veton kundër Takut, vendimi përfundimtar në dorë të Halilit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2017 | 9:36

Josa vë veton kundër Takut, vendimi përfundimtar në dorë të Halilit

Zbehen shanset për një rikthim të Afrim Takut te Tirana. Pezullimi mbetet në fuqi, megjithatë mungon vendimi zyrtar për revoltën që lojtari shfaqi të hënën karshi trajnerit Mirel Josa. Përtej dëshirës së presidentit Refik Halili për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, historia ka marrë një rrjedhë të pakthyeshme.

Josa e ka ndarë mendjen: nuk ka në plan që ta falë mesfushorin. Një gjë të tillë ia ka bërë të qartë edhe vetë Refik Halilit, duke i argumentuar të gjitha arsyet. Gjithçka është diskutuar dje, ndërsa presidenti ka takuar Josën. Ata, për afro dhjetë minuta kanë folur për këtë çështje.

taku-kerciku-tirana-zevendesim-470x313

Sjellja e Takut është cilësuar e patolerueshme prej të dyve, megjithatë mësohet se nuk kanë gjetur pikën e përbashkët për t’i dhënë drejtim këtij konflikti. Josa ka thënë fjalën e fundit, duke vendosur “veton”. Tashmë gjithçka mbetet në dorën e presidentit. Është ky i fundit që do të përcaktojë sanksionet ndaj numrit 26 të bardhebluve (gjobë apo përjashtim qoftë), por sigurisht duke marrë parasysh vullnetin e trajnerit.

Edhe pse klubi tri ditë më parë komunikoi se do të merrte një vendim final, kjo gjë deri mbrëmë nuk ka ndodhur. Hezitimi i kreut të klubit ka vetëm një motiv, ai nuk do që t’i largohet një element i vyer. Nga ana tjetër, Josa e quan këtë si një kapitull të mbyllur. Për të nuk ka të përkëdhelur. Këtë e tha qartë edhe për mediat, një ditë pasi ndodhi debati: “Unë nuk pyes për individin, më intereson vetëm puna e skuadrës dhe kolektivi. Vetëm kaq! Këtu janë të gjithë njësoj dhe të gjithë do t’u përgjigjen kërkesave të skuadrës”.

Trajnerit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mësojë zyrtarisht masën që do të merret nga të padisiplinuarit dhe, në varësi të vendimit, do të përcaktojë të ardhmen. Afrim Taku, nga ana tjetër, prej ditësh nuk është më pjesë e ekipit, ndërsa mbetet në pritje të vendimit përfundimtar të klubit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"