Josa tregon respektin që i kanë dhënë në Shkodër: Dua fitoren ndaj Vllaznisë! Diferencat janë të vogla, duhet që të shmangim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2021 | 10:21

Josa tregon respektin që i kanë dhënë në Shkodër: Dua fitoren ndaj Vllaznisë! Diferencat janë të vogla, duhet që të shmangim…

Mirel Josa shkon në Shkodër si ish-trajner, por sot në krye të stolit të Laçit. Josa ka drejtuar Vllazninë në dy periudha, 2006-2008 dhe 2010-2011. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para transfertës së Shkodrës, 58-vjeçari pohoi se ruan respekt maksimal për ngjyrat e Vllaznisë, pasi atje e kanë mbështetur të gjithë. Sa i përket ndeshjes, Josa pohoi se shkon për të fituar me Vllazninë, ndërsa barazimi do ta kënaqte në varësi të situatave të ndeshjes. Timonieri i kurbinasve foli edhe për festivalin e golave të fazës së parë mes dy ekipeve, që sipas tij nuk kanë lidhje me futbollin.

MIREL JOSA 1

Laçi duket në një moment të mirë, pasi ka marrë disa rezultate pozitive. Si e shikoni skuadrën tuaj në transfertën e Shkodrës?

Është një ndeshje, që sipas kalendarit nis faza e dytë. Normal që nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira, kështu që çdo përballje me çdo e ekip e quaj të barabartë. Vllaznia është një skuadër që do të mbrojë prestigjin e vet. Kam respekt të veçantë për ngjyrat e kësaj skuadre sepse kam kaluar një periudhë shumë të mirë si trajner te Vllaznia dhe jam respektuar nga të gjithë njerëzit. Tani është një situatë tjetër, që të jem kundër Vllaznisë, që e kam pasur edhe me skuadra të tjera ndaj shkodranëve. Ju thoni që ekipi është në gjendje të mirë, në ngritje, etj. Rezultatet e fundit vërtetë mund të jenë deri diku të mira për ne, por nuk duhet të qëndrojmë aty. Duhet të shikojmë përpara dhe të marrim më të mirën nga këto ndeshje.

Duket se as me barazimin nuk kënaqeni ndaj Vllaznisë?

Llogaritë për një ndeshje nuk i shikoj nga fillimi, sepse edhe ndaj Partizanit nuk e kishim menduar se do të luanim për barazim. Futemi në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Nuk është puna se s’më kënaq barazimi, pasi kjo varet nga momentet e lojës apo si skuadrat do të shfaqen në fushë. Nuk merrem shumë me parashikime. Më intereson që lojtarët t’i kem të përqendruar dhe të bëjnë punën e tyre.

A ju prish punë mungesa e Lushkjes në këtë takim?

Skuadra ka nevojë për të gjithë lojtarët. Ekipin nuk e përbën vetëm Lushkja. Normal, është një lojtar që e ka treguar se çfarë mund të bëjë në fushë. Kjo është situatë normale, pasi edhe kartonët janë pjesë e futbollit. Do të mundohemi që mungesën e këtij lojtari shumë të rëndësishëm për ne ta plotësojmë me të tjerë.

Ndeshja e fazës së parë mes dy skuadrave dhuroi spektakël sa i përket golave të shënuar, por Laçi doli i mundur. I druheni kësaj radhe asaj paraqitjeje të skuadrës në startin e sezonit?

Spektakël nuk mund ta thuash, por mund të thoni u shënuan shumë gola si rrallë herë. E kam ndjekur atë takim, pa ditur se më pas do të isha trajner i Laçit. Nuk dua të qëndroj tek ajo ndeshje, sepse kur kemi një takim me kaq shumë gola nuk kemi të bëjmë me futboll.

Drejtuesit ju kanë vënë ndonjë objektiv për vazhdimësinë e Laçit?

Pak intervista kam dhënë që kur jam ulur në stolin e skuadrës dhe këtë pyetje ma kanë bërë edhe më parë. Objektivi im kryesor është që t’i marr maksimumin këtyre futbollistëve, pasi ata kanë akoma për të dhënë. I vlerësoj shumë për cilësinë që kanë dhe dita-ditës më japin më tepër besim për të vazhduar punën me ata.

A besoni që sezoni aktual i ngjan pak a shumë kampionatit të shkuar, ku patëm disa skuadra që luftuan deri në fund për titull?

Luftë do të ketë, pasi çdo skuadër do të ketë ulje-ngritjet e saj në momente të caktuara. Problemi është që të rikuperohen sa më shpejt gabimet. Ka ekipe që kanë pasur probleme në fillim, ka që i kanë tani, ashtu siç i kishte Laçi para 4-5 javësh. Janë gjëra që ndodhin në futboll. E kam thënë edhe më herët, në kampionatin tonë diferencat nuk janë shumë të mëdha dhe rivaliteti nuk ka qenë vetëm vjet. Partizani mund të vijë në ngritje, pastaj çfarë mund të themi. Mund të shikojmë një skuadër tjetër, një Kukës që fitoi me Tiranën kryesuese. Mua si trajner më intereson që gabimet e konstatuara në skuadrën që drejtoj të mos i përsërisim, por t’i përmirësojmë. Futbolli është edhe lojë gabimesh, të cilat i shfrytëzojnë kundërshtarët. Pra, duhet të gabojmë sa më pak.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"