Kukësi rrezikon “play out”-in, sfida ndaj Kastriotit bëhet jetike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 16:15

Kukësi rrezikon “play out”-in, sfida ndaj Kastriotit bëhet jetike

Kukësi luan ndaj Kastriotit një sfidë për mbijetesë. Ta mendoje në fillim të edicionit që ky klub do të arrinte deri në këtë pikë, do të konsiderohej një çmenduri, duke parë investimet dhe synimet me të cilat verilindorët hynë në kampionat. Objektivi i klubit në fillim ishte titulli kampion, mirëpo në ndeshjen e fundit të fazës së tretë, Kukësi është më pranë zonës së rënies, sesa Europës. Kësisoj, ekipi duhet të bëjë mirë llogaritë, për të mos rrëshqitur akoma më shumë në renditje.

KUKESIIII

Kukësi është gjashtë pikë mbi Bylisin që mban aktualisht pozicionin që të dërgon në “play out” dhe dy pikë më shumë se Kastriotit. Një tjetër ndalesë do të vinte seriozisht në pikëpyetje mbijetesën dhe në fazën e fundit do të ishin në “vallen” e skuadrave që synojnë qëndrimin. Në një situatë të tillë, një fitore kundër Kastriotit vlen gjashtë pikë, pasi nuk lejon që të parakalohen nga këta të fundit në klasifikim. Gjatë këtij sezoni verilindorët janë mundur në të dyja ndeshjet nga krutanët, me të njëjtin rezultat, 1-0. Skuadra vjen në këtë ndeshje pas 7 paraqitjesh negative radhazi dhe duhet hënë se morali ka rënë shumë, ndaj do të jetë një mision më vete për Mirel Josën që ta motivojë skuadrën. Fakti që ekipi nuk ka qenë kurrë në këto nivele, e bën akoma më të vështirë karikimin e ekipit.

MANOVRAT – Në Kukës e kanë kaluar në heshtje humbjen e fundit ndaj Skënderbeut dhe skuadra ka vijuar normalisht me përgatitjet në kompleksin “Futboll Republic”. Pritet të mos ketë asnjë mungesë, ndërsa dyshimet e vetme janë tek sulmuesi Kuper, i cili edhe pse i është bashkuar grupit, ende nuk mund të thuhet se do të jetë i gatshëm për ekipin. Josa është marrë thuajse me të gjitha repartet në veçanti, duke kërkuar nga lojtarët që të japin maksimumin. Trajneri ka kërkuar që skuadra të jetë më e kujdesshme kur kapet në kundërsulme, pasi lënë shumë hapësira në momentin që kundërshtari u merr topin. Nga ana tjetër, Josa ka kërkuar edhe qetësi në fazën sulmuese dhe për më tepër furnizimin me sa më shumë topa nga krahët, kryesisht për Ezenë, i cili mbetet pika e referimit në këtë repart. Gjasat janë që edhe pse skuadra vjen pas rezultatesh negative, të mos ketë ndryshime në formacion.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"