Josa: Pres Shkëmbin, me Salihin jemi super. Po përshtatet shpejt, e dua për gjithë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2015 | 9:48

Josa: Pres Shkëmbin, me Salihin jemi super. Po përshtatet shpejt, e dua për gjithë sezonin

salihi

Pres rikthimin e Shkëm bit, besoj tek egoja e tij. Me Salihin do të jemi super, por shpresoj të jetë i yni për gjithë sezonin”.

Kështu e ka nisur intervistën për “Panorama Sport” trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa. Numri një i pankinës korçare tregon ditët e përgatitjeve të skuadrës në Austri, në prag të ndeshjeve të Ligës së Kampioneve.

Trajneri pranon se ka shumë pak të dhëna për ekipet e mundshme që do të jenë kundërshtarë të Skënderbeut (Krusaders ose Levadia Talin), por, sipas tij, do të mundohet të kuptojë diçka në ndeshjen e kthimit që luhet të martën.

Profesor, jeni i kënaqur për mënyrën si ka shkuar skuadra gjatë fazës përgatitore deri në këtë moment në Austri?

Të stërvitesh në këto kushte, gjithmonë është diçka mjaft e mirë, jo vetëm për ne, por për të gjithë ekipet. Në Austri plotë- sohen të gjitha kërkesat e një klubi profesionist për fazën përgatitore, kështu që edhe unë si trajner jam shumë i kënaqur deri më tani.

Nga gjashtë miqësore të zhvilluara, keni pësuar pesë humbje dhe keni marrë vetëm një fitore. Ju shqetëson ky fakt?

Jo, aspak, përkundrazi jam shumë i kënaqur nga loja e ekipit, sidomos në dy takimet e fundit. Duhet të dini diçka, në ndeshjet e para skuadra ka qenë e ngarkuar dhe mjaft e lodhur nga seancat stërvitore. Megjithatë, loja ka ardhur në rritje. Ne jemi duke punuar tashmë për t’i dhënë fund fazës përgatitore dhe do të kthehemi në Korçë për të vijuar prej andej stërvitjen.

Do të riktheheni në një tjetër klimë në Shqipëri, sa ndikon kjo?

Më 7 ose 8 korrik menjëherë do të fillojmë përgatitjen në Korçë, pasi na duhen disa ditë përt’u ambientuar nga ndryshimi i klimës. Por, jemi të bindur se të gjithë do të kenë mundësinë të shikojnë Skënderbeun në formën e tij më të mirë para ndeshjes së parë në Champions.

 Së fundmi, skuadrës i është bashkuar edhe sulmuesi i Kombëtares, Hamdi Salihi. A mund të konfirmohet si goditja e madhe e klubit?

Sigurisht, pasi dihen vlerat e Salihit. Normalisht një sulmues i tillë rrit shumë forcën e ekipit. Nuk kam sesi të mos jem i kënaqur nga afrimi i tij dhe kjo është diçka që dihet. Me të vërtetë ka qenë jashtë formës, pasi ka vetëm pak ditë që është duke u stërvitur me ne, por mund të them se është një lojtar shumë inteligjent që po përshtatet mirë me ekipin. Do të ishte vërtet një plus i madh nëse do të qëndronte me ne për gjithë sezonin.

Shkëmbi ka filluar të vrapojë. Ju jep shpresë për rikuperimin?

Është ende mjaft herët për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Shkëmbi ka ecur mirë me rikuperimin, por ende nuk është gati. Duke e njohur mirë Bledin dhe egon e tij, mund të them se gjithçka është e mundur. Do të ishte diçka e madhe për ne nëse do e kishim gati që në ndeshjen e parë. Dy rivalët e mundshëm të Skënderbeut janë përballur në takimin e parë dhe pas barazimit 0-0 gjithçka ka mbetur e hapur për kualifikimin.

Keni krijuar një ide për kundërshtarët?

Fatkeqësisht, nuk kemi pasur mundësi të shohim ndeshjen e parë, pavarësisht se dëshira ka qenë shumë e madhe. Momentalisht, dimë vetëm skemën e lojës së dy ekipeve. Do të mundohemi që të krijojmë një ide më të mirë në ndeshjen e kthimit.

Intervistoi: Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"