Josa: Penalltia në shtesë, absurde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2015 | 15:23

Josa: Penalltia në shtesë, absurde

JOsaTrajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, e konsideron si absurde penalltinë e dhënë në minutat shtesë në takimin e djeshëm. Në prononcimin pas takimit, për “Supersport” ai ka saktësuar gjithashtu se ekipi i tij duhej të kishte shënuar më shumë që ta mbyllte ndeshjen.

Duket se ky barazim peshon si një humbje, apo jo?

Normal është si humbje, kjo për mënyrën si luajtëm, për mënyrën si zhvilluam lojën. Por sakaq unë mendoj se neve duhej të ishim më shumë të përgjegjshëm me rastet e shumta që krijuam dhe të mbyllnim lojën. Kukësi na erdhi vetëm një herë te porta dhe na mori atë penallti, të cilin jua lë juve ta komentoni më mirë.

Gjithsesi, gjykoni se nuk ishte penallti?

Për mendimin tim, nuk shikohet qartë… nuk kam se çfarë të them. Megjithatë, në ato momente, të jepet një penalti kaq e lehtë më duket absurde.

A mund të themi se Skënderbeu humbi një shans për vendin e parë?

Sigurisht, por nuk është kjo gjë që më shqetëson më shumë, pasi nuk e shikoj se determinant për sezonin. Normal që këto janë pikë të lëna pasi Kukësi mbetet tri pikë para dhe sot (dje) duhej të ishim neve në krye. Unë nga loja e skuadrës jam i kënaqur, por duhet të jemi më pragmatistë në momente të caktuara. Pra, mbetem i pakënaqur për rastet e humbura. Ne duhet ta mbyllnim lojën shumë më shpejt. Ky është pretendimi im ndaj skuadrës. Pastaj, ishte apo jo penallti janë gjëra të kota që do diskutohen sepse çdo gjë ka marrë fund.

Në fakt, është ironi e fatit se pak sekonda më parë mund të kishit shënuar juve me Alikajn…

Ironia e fatit është se neve duhej ta kishim mbyllur lojën me Alikajn në një rast shumë të pastër, gjë që nuk ndodhi. Kukësi kishte ardhur për një pikë dhe e mori atë, teksa neve duhej të kishim qenë më konkretë me lojën dhe rastet e shumta që krijuam.

Çfarë u thatë lojtarëve në dhomat e zhveshjes?

Normal që nuk mund t’u thuash shumë gjëra pas një rezultati të tillë. Momentet pas ndeshjes duhet të jesh shumë i qetë sa i përket komunikimit si me lojtarët dhe me pjesëtarët e tjerë të klubit, kështu që nuk kam fjalë të them për këtë barazim. Është një barazim shumë i hidhur për neve për mënyrën sesi erdhi. Mund edhe të kishim barazuar ndryshe dhe nuk do kishte qenë problem, por jo ashtu sikundër na ndodhi.

Si e gjykoni faktin se Martins dhe Stojkov nuk shënojnë?

Është një problem i evidentuar tashmë, por unë nuk e pres golin vetëm nga ata. Ka edhe lojtarë të tjerë sikundër Alikaj apo Berisha që mund të shënojnë.

A mendoni se në minutat e fundit nuk duhej ta kishit tërhequr aq shumë skuadrën?

Ndoshta… Duhet të ishim më jashtë zonës dhe t’i jepnim më shumë hapësira edhe portierit që të dilte, por tashmë është një diskutim që nuk vlen. Neve futëm Jashanicën për të mbyllur mbrojtjen, por gabuam se u tërhoqëm shumë.

Mendoni se Skënderbeu ka kundër vetëm fatin apo edhe arbitrat?

Nuk më interesojnë gjyqtarët, pasi ka shumë kohë që flasim për ta. Por fatin nganjëherë duhet ta kesh në dorë edhe vetë. Bëmë një lojë shumë të mirë dhe duhej të kishim shënuar më shumë. Gjithsesi, kampionati nuk ka mbaruar ende.

A do ribënit të njëjtën zgjedhje me Alikajn që e futët në pjesën e dytë në lojë?

Nuk fajësoj lojtarin se janë gjëra që ndodhin. Mund ta kishte humbur atë rast edhe një lojtar tjetër. Nuk e fajësoj dot, pasi do ishte dobësi për mua.

Kjo ishte një finale për titullin, si do t’i motivoni tani lojtarët tuaj?

Nuk ishte finale titulli pasi diferencat janë po ato. Ka ende shumë javë dhe që këtë javë ndaj Durrësit duhet të bëjmë autokritikë dhe të arrijmë rezultatin. Po bëjmë lojë të mirë, por nuk marrim rezultat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"