Josa: Partizani favorit në derbi, s’ka hakmarrje ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2016 | 8:00

Josa: Partizani favorit në derbi, s’ka hakmarrje ndaj Laçit

Në prag të ndeshjes kundër Laçit, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka dalë në një konferencë për shtyp. Ai ka bërë me dije se rëndësia e këtij takimi është e madhe dhe se tri pikët janë synimi kryesor i ekipit. josaTrajneri kryeqytetas nuk ka dashur të ndalet shumë te kundërshtari, pavarësisht se në derbi sheh favorit Partizanin duke e mbyllur në fund me një koment të hollësishëm mbi zërat e merkatos që, sipas tij, nuk janë konkrete, por vetëm sa shpërqendrojnë ekipin.

Josa, ajo kundër Laçit, ndeshje e rëndësishme për Skënderbeun?

Normalisht, të luash katër takimet e fundit të kampionatit nuk ka se si të mos jetë i rëndësishëm për ne. Për mua është një ndeshje e rëndësishme njësoj sikundër do të ishte ndaj ndjekësit tonë më të afërt. Më intereson kompaktësia e ekipit dhe mënyra se si lojtarët do ta presin këtë takim për të marrë pikët që u nevojiten. Në këtë ndeshje duhet të jemi sa më praktikë për të marrë trepikëshin.

Shumë mungesa keni këtë ndeshje. Sa do të ndikojë kjo te paraqitja e ekipit në fushë?

Po, është e vërtetë. Kemi mungesa që kanë ardhur si pasojë e kartonëve të marrë në ndeshjen e fundit, por edhe mungesa për dëmtimet e ndryshme që kemi pasur. Por në një kampionat të tillë gjërat janë më se normale. Ne do të mundohemi që të bëjmë më të mirën tonë me lojtarët që kemi në dispozicion për këtë takim. Por, veç mungesave, kemi dhe rikthime.

Duke parë këtë situatë, mund të themi që do të ketë shumë ndryshime në formacion?

Unë në përgjithësi kam bërë ndryshime në formacion. Neve na nevojitet stabilitet në skuadër. Çdo ndeshje duhet të na bëhet mësim për takimin pasardhës. Nëse pashë një ekip shumë solid në Tiranë, nuk e pashë në disa raste atë soliditet ndaj Bylisit. Këtë soliditet jam duke kërkuar karshi ekipit për takimin e sotëm kundër Laçit.

Nesër (sot) luhet edhe derbi i kryeqytetit…

Është një ndeshje që normalisht do ta shohim. Por fillimisht duhet të mbarojmë një herë takimin tonë dhe, më pas, të shohim atë takim mes Tiranës dhe Partizanit. Unë personalisht do ta shoh si një ndeshje të zakonshme.

Fiton Tirana apo Partizani?

Nuk dua të jap asnjë koment në lidhje me këtë takim apo me rezultatin e ndeshjes. Por për kushtet në të cilën do të zhvillohet kjo ndeshje mund të them se më i avantazhuar është Partizani.

 Josës dhe Skënderbeut normalisht u intereson fitorja e Tiranës apo jo?

Unë nuk dua të flas se çfarë i intereson Josës apo Skënderbeut. Unë flas nga jashtë se si i shoh gjërat, megjithatë është një ndeshje futbolli dhe të tre rezultatet janë të pritshëm.

Ka edhe zëra të ndryshëm që flasin për një pakt për fitoren e Partizanit…

Unë nuk merrem me thashetheme. Nuk jam pjesë e thashethemeve dhe as e makinacioneve. Skënderbeu duhet të bëjë punën e vet që të marrë tri pikët dhe të vazhdojë për ndeshjen në Durrës. Tani kemi përballë Laçin që e ka siguruar mbijetesën. Një ekip që kur shtrëngohet, luan futboll të fortë dhe respekton futbollin ashtu si duhet ta respektosh. Ne duhet të respektojmë takimet e radhës.

Sot një hakmarrje kundër Laçit që u hoqi nga kupa?

Unë nuk merrem me hakmarrje, pasi futbolli s’ka hakmarrje. Në futboll duhet të mendosh se si do ta përgatisësh ndeshjen qoftë fizikisht, qoftë taktikisht.

Cilat janë pikat e forta të Laçit që ju i vlerësoni?

Laçi ka një skuadër që lufton. Ka lojtarë shumë me eksperiencë si Buljan dhe Shetën, por edhe Ademirin që e njohim shumë mirë. Ka një organizim të mirë loje me Veliajn, por edhe Nimani dhe Malindi janë lojtarë që japin siguri në sulm, sepse kanë vite që luajnë në Superiore. Problemi është që Laçi ka ndryshuar shumë trajnerë në këtë periudhë dhe Ndreu do të kërkojë zgjidhjet e veta.

Përgatiti: Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"