Josa: Me këtë grintë Tirana duhet t’i luajë të gjitha ndeshjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2017 | 20:52

Josa: Me këtë grintë Tirana duhet t’i luajë të gjitha ndeshjet

Mirel Josën e kënaq barazimi 2-2 ndaj Skënderbeut, por trajneri thekson se Tirana e tij duhet të luajë me të njëjtën grintë si sot në të gjitha ndeshjet. Në fjalën e tij për “Gol pas goli” pas ndeshjes, tekniku bardheblu u shpreh se lojtarët duhet të jenë të gatshëm për ta treguar veten në çdo përballje, jo vetëm në ato ndaj kundërshtarëve të mëdhenj.

Josa

Deklaratat e Josës:

“Zgjidhja jonë ishte që të mos i jepnim Skënderbeut hapësira. Pjesën e parë bëmë presion, ashtu sikurse edhe Partizanit. Tentuam të mos u jepnim shans të tregonin cilësitë e tyre. Unë them që, në krahun e majtë, me Micin duhet të bënim më mirë.

Në pamje të jashtme duket sikur jemi të kënaqur me një barazim. Barazimi është gjë e mirë për skuadrën, pasi vjen përballë Skënderbeut. Unë jam shumë i qartë. Kemi bërë ndeshje të tjera pa pikë grinde. Duhet ta tregojmë këtë lloj grinte në të gjitha ndeshjet, sepse trepikëshi është trepikësh.

Individët nuk duhet të jenë të gatshëm për të luajtur vetëm në këto ndeshje, por në të gjitha. Duhet të jemi përherë të gatshëm, pasi nuk ka ndeshje të dobëta”.

Presioni nga kundërshtari në pjesën e dytë

Në pjesën e dytë vuajtëm. Ata sulmuan shumë dhe e qarkulluan topin. Problemi ynë i madh është se pasi fitonim topin, në kundërsulm e humbnim direkt. Para pësimit të golit i krijuam një panik vetes sonë, por kjo erdhi edhe për meritë të Skënderbeut. Me Moisen kishim probleme madhore. Patëm kundërsulme, por nuk i shfrytëzuam shumë mirë.

Kurse problemet me Latifin erdhën në qendër, kur u fut Plaku dhe jo kur Latifi luajti në krah. Aty pastaj ne luajtëm me dy mesfushorë qendre, me Akuanë dhe Dajën. Krahu i majtë nuk ishte problem më për ne, pasi mbeti vetëm me Micin kur hyri Plaku. Që kur Skënderbeu filloi lojën me 4-3-3 me Nimagën, Orelesin dhe Lilajn, them që në pjesën e dytë patëm shumë probleme. Futja e Latifit në qendër na penalizoi shumë, por edhe Xhejmsi që ndryshonte pozicione na hapi probleme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"