Josa: Kemi frikë të luajmë futboll, s’përfituam nga paniku i Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2017 | 16:31

Josa: Kemi frikë të luajmë futboll, s’përfituam nga paniku i Luftëtarit

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, thotë se humbja ndaj Luftëtarit erdhi si pasojë e frikës që pati skuadra për të guxuar që të përfitonte nga momentet e pasigurisë që shfaqi kundërshtari.

Në një prononcim për mikrofonin e “Gol pas Goli” në përfundim të disfatës 2-1 në Gjirokastër, kreu i stolit bardheblu theksoi se skuadra e tij duhej të tregonte personalitetin që tregoi në barazimin e javës së shkuar përballë Skënderbeut.

Josa

Deklarata e plotë:

“E interpretuam mirë lojën në pjesën e parë dhe mund të shënonim në dy-tre momente që krijuam. Ishim mirë në përgjithësi. Por pjesën e dytë e nisëm keq, e humbnim topin me këmbët tona, sidomos në të majtë. Pas golit ndryshuam rreshtim, kurse pasi pësuam sërish u çekuilibruam. Hodhëm tërë potencialin sulmues që kishim në dispozicion, por nuk ia dolëm. Pasi e rihapëm ndeshjen, nuk kishim qetësinë e duhur për ta ndëshkuar sërish kundërshtarin që e kapi paniku.

Gjithçka varet nga personaliteti i futbollistëve. Hoxhallari bëri mirë në dy-tre raste, por nuk bëri mirë në dy-tre të tjera kur kërkoi të futej në driblim. Si Moise edhe Kërçiku, i cili rikthehej pas shumë kohësh, nuk ishin të shpejtë sa duhej. Moise duhej të shtynte përpara, jo ta kthente topin pa pasur presion, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të na kapte në befasi. Edhe Lika duhej ta mbështeste më shumë Dajën për të dalë përpara.

“Kam besim te skuadra, prandaj jam këtu. Para ndeshjes i thashë ekipit që të mos humbnim identitetin dhe karakteristikat që treguam ndaj Skënderbeut. Pastaj, edhe mungesat bëjnë të vetëm. Por, e përsëris, problemi ynë është frika. Nuk luhet futboll me frikë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"