Josa i përgjigjet Dajës: Tirana, autostradë që s’është ndërtuar si duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2017 | 21:10

Josa i përgjigjet Dajës: Tirana, autostradë që s’është ndërtuar si duhet

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, e cilëson kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë si shumë të rëndësishëm për moralin e skuadrës. Sipas tij, fitorja e sotme me Besëlidhjen do t’i japë ekipit bardheblu një shtysë më tepër për të përballuar kampionatin.

Në një prononcim për “Gol pas Goli” pas triumfit 2-0, Josa iu përgjigj edhe Ilir Dajës, i cili e thumboi duke thënë se e la Tiranën në vend të katërt dhe pesë pikë para ndjekësve.

Josa

Deklaratat e Josës:

“Duke qenë se kishim shënuar në fushë kundërshtare, normalisht që sot duhej të ishim shumë të kujdesshëm. Por edhe duhej ta fillonim ndeshjen mirë e të shënonim, pasi gjendja psikologjike e skuadrës nuk është e duhura. Më parë në kampionat kemi humbur ndeshje ngaqë i kemi nisur keq, pastaj e kemi rritur lojën, por në futboll luhet nga fillimi. Të dy golat e shënuar në bënë më të qetë. Në pjesën e dytë duhej të administronim dhe ta godisnim Besëlidhjen, që sot ishte shumë dinjitoze në fushën e lojës. U përpoq të na presonte lart në momente të veçanta, sidomos në pjesën e parë. Në të dytën mendoj se e zgjidhëm problemin e mbrojtjes dhe mbajtjes lart të kundërshtarit”.

Ndikimi këtij suksesi në kampionat

“E kam thënë edhe herë tjetër: normale që Kupa është një objektiv për ne, por duhet të shohim një herë kampionatin. Nuk kemi bërë mirë fare, ndaj dua ta shoh këtë fitore si shtysë për ngritjen e anës psikologjike të skuadrës për të ecur në kampionat. Situata është shumë e vështirë në situatën që jemi”.

Ndryshimi mes kampionatit dhe Kupës

“Unë nuk shoh ndryshim shumë të madh. Ndryshimet do t’i shohim në fund të sezonit, qoftë në individë qoftë në mënyrën e lojës. Ne kemi bërë disa ndryshime gjatë dhe jemi futur në lojë herë me pasiguri e herë me siguri të tepërt, gjë që nuk duhet ta kenë lojtarët e Tiranës. Pas kësaj ndeshjeje e shoh skuadrën më të qetë, por unë nuk shoh vetëm ndeshjen e radhës. Arritëm një objektiv në mënyrë jo të lehtë, por kampionati është gjë tjetër. Skuadrat shtrëngohen, ndeshjet janë të vështira qoftë me pretendentët qoftë me të tjerët. Ne do përpiqemi të luajmë pa kurrfarë presioni dhe këtë ua thashë edhe djemve sot para lojës. Skuadra është duke vrapuar, por në momente të caktuara duhet të jetë më e përqendruar. Nga mungesa e përqendrimit kemi humbur shumë pikë në fushën tonë, përveç problemeve të tjera që i kemi prekur edhe më parë”.

Një përgjigje për Ilir Dajën

“Ato fjalë Daja nuk i tha sot për herë të parë, por që më përpara. Janë përmendur edhe autostrada të Tiranës, por kanë qenë autostrada që nuk janë ndërtuar ashtu siç duhet në fillim dhe janë prishur shumë shpejt. Si puna e autostradave për të cilat ne kemi pretendime kur lëvizim me makinë, duhet të shohim një skuadër të përgjegjshme për atë që bën dhe për atë që ka mbrapa. Kampionati është shumë i gjatë, kartonët dhe dëmtimet kanë bërë punën e tyre, prandaj autostradat dhe sfidat t’i lëmë për në fund fare. Çdo trajner ka punën e vet. Dajës i uroj suksese dhe do Zoti del kampion!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"