Josa: Duam fitore në derbi, por as ajo nuk zgjidh problemet tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2017 | 18:51

Josa: Duam fitore në derbi, por as ajo nuk zgjidh problemet tona

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, është i ndërgjegjshëm se edhe fitorja në derbi ka pak gjasa që t’i bëjë punë Tiranës, e cila nuk do të jetë e sigurt për mbijetesën në Superiore derisa matematika ta thotë një gjë të tillë. Në konferencën e sotme për shtyp, tekniku i bardhebluve e cilësoi këtë duel si shumë të rëndësishëm përtej rivalitetit brenda qytetit.

mirel josa

Për rëndësinë e derbit në këtë pikë të sezonit

“T’i thuash ndeshje e rëndësishme është shumë pak dhe këtë e them për faktin se të dy skuadrat, pavarësisht derbit si i tillë, kanë edhe objektivat e tyre kryesore. Partizani ka objektiva madhorë në këtë ndeshje ndërsa ne jemi një skuadër e cila është në një udhëkryq. Kam bindjen se skuadra do të bëjë më të mirën për të dalë nga ky udhëkryq”.

Sa ndryshon situata e Tiranës me një fitore

“Po i marrim maksimumin kësaj skuadre, duam t’i marrim më të mirën. Por nuk është e thënë që duhet të fitojmë medoemos ndeshjen me Partizanin. Normalisht çdonjëri nga ne, qoftë unë, qoftë futbollistët, qoftë tifozët, duam që të fitohet ndeshja me Partizanin. Por nuk do të thotë që të fitohet ndeshja me Partizanin dhe do të rregullohen të gjitha gjërat”.

Prestigji i derbit

“Normalisht që ekziston prestigji i derbit, për mua nuk është thjesht Tirana-Partizani, është diçka tjetër që e kam ndjerë edhe si futbollist e trajner. Problemi madhor është që Tirana të marri pikë, do të mundohemi përsëri që të luajmë dhe t’i marrim maksimumin skuadrës. Normalisht humbja nuk është e mirë për çdo skuadër, por skuadra të japë maksimumin siç ndodhi në ndeshjen e fundit me Partizanin dhe e patë vetë se çfarë ndodhi”.

Për vazhdimësinë te Tirana pas këtij sezoni

“Nuk konfirmoj gjë, kam kontratë për një vit e gjysmë, të shohim si shkojnë problemet. Nuk është kontrata që më mban mua apo një trajner tjetër. Për mendimin tim, janë objektivat e një skuadre dhe mënyra se si këto do të realizohen”.

Rreth zërave për aleanca

“Tirana nuk luan për aleanca, luan për veten e vet, për prestigjin e vet, sepse është Tiranë, aq sa ka mundësi. Mos t’u futemi problemeve të tjera”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"