Josa: Bëmë rotacion, por jo për shkak të Partizanit. Nuk jemi në garë për dy, por për tre objektiva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 16:07

Josa: Bëmë rotacion, por jo për shkak të Partizanit. Nuk jemi në garë për dy, por për tre objektiva

Trajneri i Laçit, Mirel Josa, e ka cilësuar barazimin e sotëm në Kupë ndaj Egnatias i një rezultat pozitiv. Tekniku i kurbinasve tha për “SuperSport” se kishte bërë rotacion për shkak të gjendjes së lojtarëve e jo se mendonte për Partizanin, pasi ekipi i tij ishte në garë për gjithçka e nuk mund të ulte ritmin.

josa

“Them që kishim zotërimin e lojës gjatë gjithë kohës, mund të themi sidomos duke pasur parasysh pjesën e parë ku bëmë mirë në zotërimin e topit dhe dolëm në goditje porte shumë herë. Jam i kënaqur në përgjithësi nga loja, por them se duhet të jemi më të saktë para portës, në finalizim e goditje. Sepse goditëm por nuk dolëm në pozicionet ku duhet, duhej të luanim më shpejt, na vështirësoi lojën ekipi kundërshtar, i prirur për të mbrojtur në gjysmëfushën e tyre, të prirur për të na kapur në ndonjë gabim. Në pjesën e parë ndodhi vetëm dy herë, kështu që në përgjithësi e them se një gol i dytë do të na lironte e do të bënim lojën tonë. Por në një ndeshje Kupe, të dy skuadrat kishin pretendime dhe nuk mund të themi se ka mbaruar ndonjë gjë se kemi ndeshje tjetër dhe kemi përballë një skuadër e cila tani është riformuar, ka krijuar një farë personaliteti në lojë që e ka treguar edhe në kampionat me rezultate pozitive. Në përgjithësi them se jam gjysmë i kënaqur për lojën. Kur kishim topin duhej të ishim shumë më të shpejtë për t’u futur në zonën e kundërshtarit.

Besoj se skuadra ka potencialin për të përballuar këtë ndeshje. Jo se bëmë rotacion, ne futëm lojtarët që ishin në gjendjen më të mirë sportive duke pasur parasysh ngjeshjen, ishte hera e parë që disa lojtarë kanë luajtur dy ndeshje me njëri-tjetrin. Kemi bërë rotacion, por nuk e quaj se ishte nga ndeshja e Kupës, e bëmë sepse do të aktivizonim lojtarë më të freskët. Nuk menduam për ndeshjen me Partizanin se ka kohë.

Sot menduam për Kupën, nuk mund të mendohet për kampionatin e pastaj për Kupën. Kupa ishte para, menduam për të sot dhe të shohim pastaj për ndeshjen me Partizanin. Ne jemi për të tre objektivat, duke pasur parasysh edhe Europën brenda.

Lushkja është lojtar i skuadrës, po jep 100% dhe është i impenjuar edhe si sot. Nuk mund të bëj diferencime me lojtarët e tjerë. Është një lojtar që për sa kohë është pjesë e skuadrës, po jep 100%. Kur të vijë momenti do të flasim për reagim, një lojtar shumë i nevojshëm për ne, por do të shohim nevojat qoftë të klubit, qoftë të tijat personale”, tha Josa.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"