“Jorgji është frikacak”, Albano Aleksi: Ja përse më ndëshkoi me karton të kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2020 | 16:34

“Jorgji është frikacak”, Albano Aleksi: Ja përse më ndëshkoi me karton të kuq

Albano Aleksi është një nga futbollistët që te Teuta është titullar i padiskutueshëm dhe një nga lojtarët kryesorë të skuadrës blu. Aleksi foli për sfidën me Kukësin në Kupë dhe çfarë pret në këtë fundsezon Teuta. Në intervistën për “Panorama Sport”, mesfushori shprehet se ndaj verilindorëve do të arrijnë të fitojnë dhe të kalojnë në finale të Kupës.
aleksi

Albano, çfarë nuk shkoi ndaj Kukësit?
Asgjë nuk shkoi siç duhet. Dhe ashtu siç e kishim parashikuar ne, e nisëm ndeshjen keq, duke pësuar dy gola të shpejtë. Kjo na vendosi në trysni. Unë mendoj se ka ndikuar pak edhe lodhja, pasi edhe ne njerëz jemi. Nuk jemi robotë, sepse që pas rinisjes së kampionatit kemi luajtur çdo tri ditë. Duhet ta hedhim pas krahëve këtë humbje dhe të fokusohemi te gjysmëfinalja e Kupës.
inter barcelona jorgji
Ju pamë shumë të tensionuar në momentin e daljes më të kuq, çfarë ndodhi?
Po, e vërtetë. Isha i tensionuar, pasi Jorgji është një frikacak. Kartonin e parë të verdhë ma dha pa shkak. Unë isha i shtrirë në tokë dhe kur u ngrita i thashë: “Përse ma dhe, s’i bëra gjë?” Më tha: “Më ofendove mua”, kur unë as nuk i fola asnjë fjalë. Nuk e di çfarë të them më shumë për atë që vetëm arbitër s’mund ta quaj.

Çfarë prisni nga ndeshja me Kukësin?
Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe duhet të kualifikohemi. Me një humbje tjetër, do të hedhim poshtë gjithë sezonin. Do ta përgatisim ndeshjen që të marrim maksimumin. Edhe Kukësi vjen nga një anë e mirë psikologjike. Duhet të kemi edhe pak fat, pasi edhe fati është pjesë e futbollit.
Limaj goli Kukesi logo
Ju duhet një gol për t’u kualifikuar. E bën të vështirë ky fakt këtë duel?
Çdo ndeshje është e vështirë, prandaj ne si në çdo ndeshje hyjmë për fitore pavarësisht se kë kemi përpara. Ne do të vazhdojmë me synimet tona të jemi në Europë. Jemi grup shumë i mirë, të palodhur në çdo aspekt dhe mendojmë vetëm për objektivat tanë, për asgjë tjetër. Kam besim jo vetëm se do të shënojmë, por të bëjmë një ndeshje të madhe. Vetëm kështu mund të arrijmë në finale.

Si e shikoni ekipin deri tani dhe a mendoni që duhet një trofe për 100-vjetorin?
Besoj se kemi zhvilluar një kampionat pozitiv deri tani. Jemi në garë për në Kupë dhe në kampionat. Shpresoj që për 100-vjetor të fitojmë Kupën e Shqipërisë. Ta sjellim në Durrës, pasi ka kaq shumë vite pa një trofe. Për mendimin tim dhe të gjithë çunave, Kupa është kryesore. Pastaj edhe kampionati, pasi edhe nga aty mund të kualifikohemi në Europë.

Objektivi mbetet Europa. Sa shanse ka Teuta ta arrijë?
Janë edhe 9 pikë në garë. Do të luftojmë për të dhënë gjithçka. Do të jenë të gjitha ndeshje të vështira dhe duhet të bëjmë gjithçka. Jam i bindur që shanset i kemi realisht për të arritur objektivin, pasi që në fillim të këtij sezoni kemi qenë gjithmonë në tri vendet e para dhe besoj që në fund do të jemi në Europë. Ky ekip i ka të gjitha mundësitë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"