Jonuz ndryshon Vllazninë në Vlorë, skemë e re për shkodranët. Trajneri: I besoj të gjithëve, edhe… Sherrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 11:26

Jonuz ndryshon Vllazninë në Vlorë, skemë e re për shkodranët. Trajneri: I besoj të gjithëve, edhe… Sherrit

Vllaznia i ka mbyl lur dje përgatitjet për transfertën e Vlorës. Për këtë përballje tejet të rëndësishme trajneri Mirsad Jonuz e ka pasur thuajse të plotë grupin e lojtarëve.

mirsad jonuz

Por, mësohet se ai do të bëjë disa lëvizje në formacion në krahasim me 11-shen që u aktivizua ndaj Partizanit. Një nga mungesat e mëdha të Vllaznisë për këtë takim do të jetë mesfushori brazilian Hygor. Ai nuk do të udhëtojë në drejtim të Vlorës. Pavarësisht se pritej të ishte në fushë, stafi mjekësor dhe ai teknik, pasi kanë shikuar edhe një herë gjendjen e lojtarit, kanë vendosur që të mos e sforcojnë.

Hygor ka pësuar një hematomë në këmbën e djathtë, kështu që është vendosur që të qëndrojë pushim dhe të mos grumbullohet për Flamurtarin. Megjithatë, mësohet se lëvizjet në formacion do të jenë edhe për shkaqe të tjera. Lëvizje parashikohet të ketë në të tria repartet. Sa i përket sulmit, gjasat janë që në këtë takim do t’i ribesohet sërish Zogajt, një nga lojtarët më të spikatur për kuqeblutë në ndeshjet ku ai ka qenë në fushë.

Formacioni – Nisur nga ajo që është shikuar në seancën e fundit, për këtë takim trajneri Jonuz do të ndryshojë jo vetëm emrat në fushë, por edhe skemën e përdorur në takimet e fundit. Në portë do të jetë Sherri, ndërsa mbrojtja për transfertën e Vlorës pritet që të përbëhet nga katër lojtarë, ku bie në sy lënia jashtë e qendërmbrojtësit Shehi, i cili mund të ruhet për sfidën ndaj Laçit, si dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Herald Marku.

as

Në këtë repart pritet që të rreshtohen nga e djathta Gligorov, ndërsa në qendër dyshja Gurishta e Malota dhe nga e majta ugandezi Ualisimbi Godfrej, që me sa duhet do të ketë takimin e parë si titullar në këtë sezon. Mesfusha do të përbëhet nga treshja Krymi, Ramadani e Kruja, ky i fundit do të zërë vendin e Hygorit në këtë takim. Ndërsa në sulm do të jetë treshja e përbërë nga Lika e Shtubina në krahë, ndërsa në qendër pritet që të luajë i riu Zogaj. Me sa duket, tekniku Jonuz ka zgjedhur skemën e tij të preferuar, 4-3-3, për të kërkuar fitoren në Vlorë.

Trajneri Jonuz – Tekniku i Vllaznisë u shpreh se nuk pret të jetë një përballje e lehtë, por si zakonisht është optimist për të arritur një tjetër rezultat pozitiv ndaj Flamurtarit. “Kemi një ndeshje të vështirë ndaj Flamurtarit dhe më pas ndaj Laçit, por forcat tona dhe mendja është te takimi me Flamurtarin. Besoj se kemi mundësinë për të rikuperuar ato që lamë. Këtë e mbështes te puna që kanë bërë lojtarët. Ata janë mirë fizikisht, por edhe në aspektet e tjera. Do të shkojmë pa asnjë diskutim për fitore ndaj Flamurtarit dhe më pas për të filluar punën për Laçin. Unë besoj te kjo skuadër, pasi ka dinamizëm dhe mendoj se do t’ia arrijmë të marrim pikët e duhura dhe të jemi në vend të katërt në këtë fazë. Në këto ndeshje të mbetura duhet që të shikojmë kualitetin e grupit, por edhe cilësitë individuale. Kjo ndeshje, por edhe sfidat e tjera deri te përballja me Bylisin, janë që të gjitha tepër të rëndësishme. Mesazhi im për lojtarët e Vllaznisë është ky: Unë besoj tek ata, besoj edhe te portieri. I mbështes që të gjithë. Kam besim te suksesi në këtë takim”, deklaroi trajneri Jonuz për “Panorama Sport”.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"