“Jonuz na ka transformuar”, Lika: Nuk duhet të “fluturojmë”, por Europa ështe e mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 23:00

“Jonuz na ka transformuar”, Lika: Nuk duhet të “fluturojmë”, por Europa ështe e mundur

Gilman Lika po kalon rini të dytë dhe zyrtarisht mund të themi se është kthyer në një lider të vërtetë te Vllaznia. Më shumë se 3 golat që ka shënuar, është forma e tij që bind. E megjithatë, vetë kapiteni shfaqet modest sa i përket vetes dhe ia faturon që të gjitha meritat e këtij suksesi trajnerit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori zbulon sekretet e kësaj ecurie. “Troç” e thotë që titulli nuk është synim, por nuk e quan të pamundur një vend në zonën “Euro”. Foli edhe për ndeshjen me Partizanin, ku saktëson se nuk ka vend për “hakmarrje”.

Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Mundët Kukësin dhe tashmë Vllaznia është bashkëkryesuese pas 7 javësh, e kishit menduar një start të tillë?

Ishte një ndeshje e vështirë dhe këtë e dinim, por rastësi nuk mund të themi pasi ekipi që nga java e parë e deri më tani ka ardhur duke u përmirësuar. Me Kukësin e kishim bazuar taktikën tonë te kundërsulmi dhe rezultoi efikase. Ishte një trepikësh që na jep shumë moral për vazhdimësinë.

Nëse do ju pyesnin para se të luhej ndeshja, do e thoshit me siguri që do fitonit?

Po të isha pyetur para ndeshjes, do shprehesha i kënaqur edhe me barazimin, por duhet theksuar fakti që trajneri kishte bindjen e plotë që do shënonim sërish në kundërsulm. Kjo skemë që aplikuam ishte krejt e ndryshme prej ndeshjeve të tjera. Po ta krahasosh me lojën ndaj Luftëtarit kur kishim 7 raste dhe nuk shënuam asnjë gol, këtë herë ndërtuam më pak, por e dërguam dy herë topin në rrjetë.

gilman lika

Duket se Jonuz ju ka transformuar, cila është merita e trajnerit në këto rezultate?

Trajneri ka një meritë shumë të madhe, sepse ka ditur ta mbajë grupin në tonus dhe mbi të gjitha të bashkuar. Në kohët e sotme trajneri më tepër duhet të jetë psikolog, sesa të bëjë stërvitje. E këtë tekniku ynë po e bën më së miri. Është e rëndësishme t’i marrësh maksimumin çdo lojtari, ky me sa duket është edhe çelësi i suksesit. Dhe merita kryesore i takon teknikut Jonuz.

Është ky kulmi i Vllaznisë, apo mund të presim edhe më shumë?

E kemi deklaruar edhe më parë që ekipi ka pasur pak mungesë fizike prej fazës përgatitore, por me kalimin e ndeshjeve çdo gjë ka ardhur duke u përmirësuar. Kemi ende punë për të bërë. Nuk është se kemi bërë ndonjë gjë të madhe, sepse ekipet janë afër me pikë. Por sikundër e thashë më lart, kjo fitore vlen për vazhdimësinë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi apo për eufori. Futbolli nuk të lë të kënaqesh.

Titullin duket se nuk e mendoni…?

Të jemi realistë, nuk është se objektivi ynë është titulli kampion. Por, ne kemi një grup të mirë që nuk i frikësohemi askujt. Thjesht duhet të jemi të qetë në fushë dhe të japim gjithsecili maksimumin. Nëse do të bëjmë këtë gjë, ashtu si kemi vepruar deri më tani, suksesi nuk do të mungojë dhe as rezultatet.

gilman lika

Po zona “Euro”…?

Nëse do të ecim mirë, e pamundur nuk do të ishte. Siç e thashë, nuk duhet që të “fluturojmë”, por të vazhdojmë të punojmë fort në mënyrë që këto rezultate të mos shkojnë dëm.

Tifozët shkodranë ju shohin si një lider, madje kanë filluar të thonë: Kur Gilmani është mirë, edhe Vllaznia është mirë…

Jam i kënaqur kur tifozëria na mbështet. Unë dhe i gjithë ekipi nuk duhet të bëjmë gjë tjetër vetëm të arrijmë të kthejmë kënaqësinë te tifozët tanë. Ata e përjetojnë si ne çdo takim, ndaj vetëm për ata duhet të bëjmë maksimumin.

Likës nuk po i mungojnë as golat, bashkë me Hygorin jeni shënuesit më të mirë të ekipit. I kënaqur?

Për mua ka rendësi që të fitohet takimi, se kush shënon, s’ka shumë rëndësi. Gjithsesi, kur goli është vendimtar, kënaqësia nuk mungon.

Pas dy javësh prisni Partizanin, ekip që ndikoi në rënien nga kategoria dy sezone më parë. Ka vend për “hakmarrje”?

Nuk duhet që ta fryjmë dhe t’i vëmë emër apo epitet këtij takimi. Thjesht është një ndeshje e radhës, është në Shkodër dhe do ta përgatisim për ta fituar. Ne duhet të mendojmë për ta fituar dhe jo për të marrë hak. Partizani është kampionia në fuqi dhe sërish një nga pretendentet kryesore. Prandaj, duhet ta vlerësojmë maksimalisht.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"