“Jonuz më i miri në 6 vite”, Alban Hasani: Është e turpshme që te ekipet kombëtare nuk ka asnjë lojtar të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 11:58

“Jonuz më i miri në 6 vite”, Alban Hasani: Është e turpshme që te ekipet kombëtare nuk ka asnjë lojtar të…

Alban Hasani parashikon kthesën e madhe të Vllaznisë përballë Teutës. Përtej vlerësimeve që ka për durrsakët, skuadër për të cilën ka luajtur gjatë karrierës së tij si futbollist, fitoren e sheh në anën e shkodranëve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i akademisë së kuqebluve sulmon edhe Kombëtaret e moshave.alban hasani

Ai e quan të turpshëm faktin që në listë nuk është asnjë lojtar nga Shkodra, ndërsa nuk ngurron të vlerësojë punën e bërë prej Mirsad Jonuz. Këtë të fundit e cilëson si trajnerin që ka thyer “akujt” e 6 viteve të fundit, duke rikthyer vëmendjen te të rinjtë.

NDESHJA – “Është një ndeshje shumë e rëndësishme si për Vllazninë, ashtu edhe për Teutën. Për vetë pozicionet që skuadrat kanë në tabelën e klasifikimit, ekipet do të japin gjithçka në fushë. Shkodranëve u intereson vetëm fitorja dhe jo vetëm për të pasur vazhdimësi, por mbi të gjitha për të fituar qetësi. Dhe nëse ndodh, atëherë do të largohej edhe ‘tersi’ i takimeve me drita. Edhe Teuta nuk mbetet pas, pasi është një ekip që ka pretendime nga ky kampionat. Janë kandidatë seriozë për titullin kampion. Mundësitë janë, duke parë kontingjentin dhe mbështetjen e presidencës. Pa frikë mund të them se është kryesfida e kësaj jave”, u shpreh fillimisht Hasani.

TRAJNERËT – Interesant e quan duelin edhe në pankina, ku përballë eksperiencës do të vendoset e ardhmja. “Janë përballë dy trajnerë që kanë dallime mes tyre. Jonuz është një njeri me eksperiencë të madhe, ndërsa Shkëmbi një trajner i ri me të ardhme. E megjithatë, bashkohen që të dy në një pikë: dinë të transmetojnë më së miri qetësi te lojtarët që drejtojnë”, vijoi ishmbrojtësi.

HYGOR – Mungesa e Hygor Guimaraesh do t’i prishë punë Vllaznisë. Pa të shkodranët do ta kenë të vështirë, teksa Hasani e cilëson si të vetmin mesfushor që di të bëjë më së miri katalizatorin mes reparteve. “Mungesa e Hygor është shumë e rëndësishme. Ai është i vetmi lojtar mesfushor me parametra ofensivë. Është ai që bën lidhjen e mbrojtjes me mesfushën dhe sulmin. Një futbollist që di të shënojë sa herë i jepet mundësia. Është blerja më e mirë që kanë bërë në verë. Megjithatë, kushdo që të luajë, do të dijë ta çojë skuadrën drejt fitores”, shtoi ndër të tjera Hasani.Alban-Hasani-Vllaznia-me-Zeken

JONUZ – Me ardhjen e Mirsad Jonuz, tashmë Vllaznia e ka kthyer vështrimin te të rinjtë. Dhe ky detaj nuk i ka “shpëtuar” drejtuesit të akademisë: “Ajo që dua të vlerësoj është se drejtuesit e klubit dhe kryesisht stafi teknik janë afër ekipeve të akademisë në çdo drejtim. Ka një bashkëpunim mes nesh. Kështu ngjau edhe kur u luajt ndeshja mes U-17 dhe U-19. Është bashkëpunimi më i frytshëm që kemi bërë në këto 6 vite. Shpresoj që kështu të vazhdojmë edhe në të ardhmen”.

KOMBËTARET – Alban Hasani ngre edhe një shqetësim. Aq sa e quan të pafalshëm faktin që ekipet e moshave të Shqipërisë kanë “harruar” Vllazninë. ”Është e pafalshme dhe e turpshme që nuk ka asnjë shkodran në ekipet kombëtare të moshave. Nuk ka asnjë kuptim që lojtarë që janë shpallur kampionë dhe janë në elitë me ekipet e tyre, të mos përfshihen të paktën në këto grumbullime”, përfundoi drejtori sportiv i akademisë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"