Jonuz ka nevojë për afrime te Vllaznia, Shtubina mirëpret një sulmues… goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 21:34

Jonuz ka nevojë për afrime te Vllaznia, Shtubina mirëpret një sulmues… goli

Vllaznia ka arritur një fitore me vlera në Gjirokastër dhe një nga protagonistët me asistin e tij ka qenë mesfushori shkodran, Ndriçim Shtubina. 

ndricik shtubina

I kthyer në formacionin e parë në këtë përballje, ai ka arritur që të kontribuojë për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij pas katër javësh. Shtubina për gazetën tregon se tri pikët e arritura ishin pa diskutim meritë e të gjithë lojtarëve dhe forcës së grupit.

“Ishte një trepikësh që na vlen shumë për të qenë më të qetë në punën tonë. Ishte një kundërshtar që na kishte nxjerrë punë edhe në Shkodër dhe kjo na e bënte përballjen në transfertë edhe më të vështirë. Patëm vështirësi për të arritur te goli, por gjithsesi duhet thënë se e kërkuam më shumë dhe ia arritëm të fitonim. Tani ne duhet që të shikojmë për më lart, pavarësisht se ky kampionat tregon përherë e më tepër se diferencat janë të vogla. Një trepikësh të ngjit në renditje, aq sa edhe një humbje të zbret sërish me këmbë në tokë. Prandaj, në çdo ndeshje, duhet kujdes. Për ne, forca e grupit është vendimtare dhe arma më e fortë. Ne fitojmë si grup dhe humbasim si grup. Fitoren mund ta sjellë çdo njeri, kjo është ajo që na bën ne të jemi më solid dhe më të fortë. Me përjashtim të dy skuadrave të fundit, të tjerat kanë treguar se kanë shumë mundësi të të marrin pikë dhe ke mundësi t’u marrësh”, u shpreh Shtubina për “Panorama Sport”. Skënderbeu – Vllazninë e pret një tjetër përballje e vështirë këtë fundjavë në Korçë. Ajo do të luajë përballë Skënderbeut, ndaj të cilit në fazën e parë ka arritur një rezultat 4-0. Megjithatë, sipas mesfushorit, ky nuk është tregues i forcave që kanë të dyja skuadrat.

“Ne nuk duhet ta mbajmë mendjen tek ai rezultat i takimit të parë. Tani është tjetër gjë dhe një përballje tejet e vështirë. E mira e madhe është se në Korçë luhet futboll, të lejojnë të bësh lojën tënde dhe ke të gjitha mundësitë që të fitosh nëse jep më të mirën. Prandaj këtë takim e shikoj të hapur. Ne do të shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të kërkuar maksimumin. Një tjetër rezultat pozitiv do të na vlente shumë edhe për të ardhmen”, vijoi mesfushori.

Afrimet – Pas përballjes me Luftëtarin, tekniku Jonuz shprehu respekt dhe vlerësim për Likën e Shtubinën, por theksoi se është shumë e nevojshme që në skuadër të jetë edhe një lojtar goli. I këtij mendimi duket se është edhe vetë Shtubina, i cili u sakrifikua në dy përballjet me Tiranën dhe Teutën për zgjedhjet taktike të teknikut. “Normalisht që neve na duhet një lojtar goli. Kemi treguar se bëjmë volum, krijomë mundësi dhe në finalizim hasim probleme. Drejtuesit duhet që të punojnë në këtë drejtim në mënyrë që të jemi më të fortë për pjesën e dytë të sezonit. Unë shpresoj dhe besoj se do të bëjmë një mbyllje të mirë në këto ndeshje të mbetura të këtij viti dhe pastaj të shikojmë për më tej”, deklaroi Shtubina.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"