“Jonuz është në rrugën e duhur”, Lici: Do merren masa për Godfrej, herët për të gjykuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 14:09

“Jonuz është në rrugën e duhur”, Lici: Do merren masa për Godfrej, herët për të gjykuar…

Suad Lici priste fitore ndaj Laçit, e megjith atë nuk e bën dramë as barazimin. Administratori vlerëson startin e 2020-ës, ndërsa kërkon edhe pak kohë që t’i gjykojë blerjet e reja. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai mbështet vendimin e kryebashkiakes për t’i ofruar kontratë 5-vjeçare Mirsad Jonuzit. Paralajmëron se ndaj Godfrej Ualusimbi do të merren masa, por në të njëjtën kohë konfirmon se merkatoja nuk është mbyllur ende.

lici

Lici, si e shihni startin e këtij viti? 

Mendoj se e kemi nisur deri diku mirë. Edhe ndaj Laçit mund të kishim arritur një fitore. Gjithsesi, mendoj se starti është i mirë dhe shpresëdhënës për të ardhmen.

Çfarë nuk shkoi siç duhet ndaj Laçit?

Ashtu si shkoi loja, mendoj se meritonim ta fitonim atë ndeshje. Pjesën e dytë e dominuam plotësisht ne. Nëse lojtarët e sulmit do të ishin treguar më të saktë në finalizim, atëherë ne mund të kishim marrë maksimumin, por futbolli i njeh këto. Gjithsesi, me lojën jam i kënaqur.

Minifaza mbaroi dhe ndërkohë janë luajtur dy ndeshje nga Kategoria Superiore, por Godfrej Ualusimbi nuk është kthyer ende ne Shkodër. Si qëndron problemi me ugandezin?

Ne jemi ende në pritje që Godfrej të kthehet në Shqipëri dhe t’i bashkohet ekipit në stërvitje. Me të jemi treguar korrekt në gjithçka. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë kontakt me këtë lojtar, pasi është vetë drejtori sportiv (i referohet turkut Engin Firat) që po merret me këtë çështje.

vllaznia arbitri ziri

A do të merrni ndonjë masë?

Si zyrtar klubi, unë mund të them vetëm kaq, mosparaqitja në kohë shoqërohet me sanksione dhe masa administrative. Rregullorja është e qartë dhe e njëjtë për këdo. Shpejt do të marrim edhe një vendim për të e do të kemi dhe do të dalim me një deklaratë zyrtare.

Keni bërë zyrtarisht tri afrime. A e kanë justifikuar besimin tuaj Adili, Hristov dhe Sidorenko?

Unë mendoj se po. Janë lojtarë që do ta justifikojnë plotësisht besimin tonë, por është herët për të gjykuar. Mendoj se nga ndeshja në  ndeshje këta lojtarë do të japin më shumë nga vlerat e tyre. Është e kuptueshme që çdo lojtar i ri kërkon pak kohë që të përshtatet me pjesën tjetër të organikës.

Jonuz ka paralajmëruar se nga merkatoja do të vijë një sulmues dhe mesfushor qendre. Si po shkojnë negociatat?

Po punojmë në këtë drejtim dhe deri me 31 janar në mesnatë, kur mbyllet zyrtarisht merkatoja e janarit, do të shikoni edhe afrimet e fundit që po diskutohen në klub. Mendoj se do të jenë të duhurit.

Jonuz Vllaznia

A mund të na zbuloni ndonjë emër konkret? 

Është më mirë që këto të bëhen të ditura, pasi lojtarët të jenë bërë zyrtarisht pjesë e Vllazninë. Ne ndërkohë jemi duke punuar.

Kryebashkiakja Voltana Ademi ka menduar që t’i ofrojë rinovim 5-vjeçar trajnerit Mirsad Jonuz. Ju si e vlerësoni këtë vendim?

Jemi shumë të kënaqur me Jonuzin. Ai ka bërë më të mirën e mundshme deri në këto momente dhe duhet të kujtojmë se si e ka nisur punën dhe kushtet në të cilat e mori ekipin. Nëse deri në fund performanca do të jetë kjo dhe ekipi do të jetë brenda objektivave, atëherë pse jo. Një projekt afatgjatë do të ishte gjë e mirë. Ndaj, e shikoj me shumë pozitivitet të gjithë këtë histori.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"