Jonuz është i bindur, Vllaznia ka frikë të luajë në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 12:00

Jonuz është i bindur, Vllaznia ka frikë të luajë në Shkodër

Vllaznia ka mbyllur një javë të ngjeshur të punës për takimin me Teutën. Stafi teknik ka përfituar nga ndërprerja e kampionatit për të korrigjuar disa gjëra në skuadrën e tij dhe për të punuar me ekipin në rritjen psikologjike të tij, për të përballur një sfidë siç do të jetë ajo e fundjavës së ardhshme ndaj Teutës.

jonuz arbitri ziri

Tekniku Jonuz ka punuar më shumë me ekipin psikologjikisht për një arsye të thjeshtë. Skuadra në fushën e vet, sipas teknikut, luan e rënduar psikologjikisht dhe nën presionin e pikëve. Kuqeblutë në fushën e tyre kanë një bilanc negativ nisur me përballjet që ka zhvilluar në transfertë.

Tri nga katër humbjet që kjo skuadër ka në këto 12 javë kampionat, i ka pikërisht në Shkodër. Tekniku Jonuz ka deklaruar se gjëja që duhet të korrigjojë për të përballuar takimet në shtëpi është pikërisht që të punojë me ekipin në aspektin psikologjik. Vllaznia, me sa është parë dhe konstatuar nga vetë tekniku, e ka shumë të vështirë për ta përballuar presionin në shtëpinë e vet. Kjo ndoshta edhe nga mungesa e aftësive të skuadrës në manovrën sulmuese.“Duhet që të korrigjojmë në aspektin psikologjik për të përballuar kundërshtarët në fushën tonë”, është shprehur tekniku Jonuz.

jONUZ

Ekipi e ka më të lehtë për të luajtur dhe për t’u përballur në lojën mbrojtëse që përdor tekniku në transfertë sesa në atë sulmuese. Gjithsesi, edhe presioni i fitimit të pikëve në Shkodër duket se ka ndikimin e vet te skuadra. Kjo është shikuar më së miri në humbjen e fundit, që skuadra kishte në shtëpinë e vet ndaj Bylisit.

STATISTIKAT

Vllaznia, nga 16 pikët e fituara, tetë i ka arritur në Shkodër dhe po kaq ka arritur në transfertë. Si skuadër pritëse, Vllaznia 6 takime i ka zhvilluar në shtëpi dhe 6 jashtë saj. Brenda, ajo ka fituar dy përballje me Laçin dhe me Skënderbeun, ka barazuar një përballje atë me Luftëtarin, ndërsa ka tri humbje. Ato ndaj Tiranës me shifrat 0-2, ndaj Partizanit 1-3 dhe ndaj Bylisit 0-1. Kjo ishte edhe humbja që duket se e ka shokuar më shumë edhe teknikun Jonuz që duket se ka nxjerrë edhe konkluzionin e tij që skuadra e ka më të vështirë të luajë brenda sesa jashtë fushës së vet.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"