“Jo zbritje nga Kategoria”, Elbasani e merr me humor: Nuk bëhet qameti po ndryshuan strukturën e kampionatit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2020 | 12:54

“Jo zbritje nga Kategoria”, Elbasani e merr me humor: Nuk bëhet qameti po ndryshuan strukturën e kampionatit…

Frika e një “skenari francez” edhe në fu tbollin shqiptar mund ta dëmtojë shumë ekipin e Elbasanit, duke e rrëzuar në Kategorinë e Dytë. Nëse do të duhet të bien nga kategoria, verdheblutë preferojnë ta bëjnë nëpërmjet fushës dhe jo në tavolinë, ndaj kërkojnë që në një situatë të jashtëzakonshme të gjendet një zgjidhje po e jashtëzakonshme.

Leshanaku Elbasani

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Elbasanit, Shkëlqim Lleshanaku, jep edhe formulën e tij të zgjidhjes për situatën ku ndodhen, jo vetëm për faktin se i shkon për shtat skuadrës së tij. “Aktualisht nuk e di se çfarë do të bëhet me kampionatin, kam lexuar për këtë ‘skenarin francez’ dhe si trajner i Elbasanit nuk jam dakord, edhe pse në fund normal do të pranojmë çdo vendim që do të merret. Nëse do të biem nga kategoria, le të biem në fushë dhe jo në tavolinë. Për mendimin tim, në këtë situatë të jashtëzakonshme duhet bërë një zgjidhje po e tillë.

Të mos ketë rrëzime nga kategoria, por vetëm ngjitje, si të nisë futbolli si të mos rinisë. Edhe këtë nuk po e them fare se është në lojë qëndrimi i Elbasanit dhe mund të kem interes, sepse nuk do ta shpëtojnë fjalët e mia klubin. Por nuk besoj se u bë kiameti për një sezon që të ketë një ndryshim formule nga Superliga deri në të Parën apo të Dytën”, u shpreh fillimisht trajneri Lleshanaku.

lleshanaku

VËSHTIRËSITË – Sa i përket rinisjes së kampionatit, trajneri elbasanas thotë se nuk do të jetë e lehtë, sepse çdo ditë që kalon i vështirëson gjërat. Pa u ndryshuar disa procedura nga ana e qeverisë, sipas tij, është e pamundur të flitet për futboll. “Së pari, besoj se nuk ka trajner në botë që të mos dojë të luhet futboll, por duhet të jemi realistë. Lojtarët kanë dy muaj pa bërë stërvitje normale dhe akoma nuk dihet kur do të nisë ajo.

Po nuk u ndryshuan masat e qeverisë, nuk e di si mund të fillojmë. Elbasani gjysmën e ekipit e ka në Tiranë, si do të vinë për stërvitje, kur ende nuk lejohet lëvizja normale? Në autobus si do të udhëtojnë 20-30 veta, kur sërish nuk lejohet? Në ndeshjet jashtë duhet ngrënë dreka, por restorantet janë mbyllur. Lojtarët duan minimumi tri javë ta marrin veten, po të rinisë stërvitja. Në kushtet ku jemi, e shoh të vështirë të rifillojë futbolli, vetëm nëse qeveria ul masat”, përfundoi Lleshanaku, i cili në kushtet aktuale dhe me masat që janë në fuqi nuk sheh asnjë shans për rinisjen e kampionatit.

VLADIMIR MEMA  – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"