Jo vetëm sulme atomike, ja si fitohet Derbi i Italisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2021 | 14:20

Jo vetëm sulme atomike, ja si fitohet Derbi i Italisë

Kalimi i fazës së Kupës së Italisë, sado i pasur me vështirësi të shfaqura në pjesët shtesë kundër Fiorentinës dhe Xhenoas, ka bërë të niset numërimi mbrapsh drejt Inter-Juventus, në program mbrëmjen e sotme. Në “trenin” e zakonshëm të emocioneve të tifozërive që përcjell sfidën shtohen ndërlikimet e klasifikimit, me dy ndeshje ende për t’u luajtur përpara përfundimit të fazës së parë është gjithçka ende e rikuperueshme, megjithatë rezultati mund të jetë edhe tregues për të kuptuar ambiciet e dy skuadrave, të rikthyera në 4 pikë distancë por me Juventusin ende në pritje të sfidës kundër Napolit. Pavarësisht mungesave në ambientet bardhezi (Dibala, De Ligt, Aleks Sandro dhe Kuadrado) dhe në atë zikaltër (D’Ambrozio, Darmian dhe Pinamonti), do të përballen dy skuadrat më mirë të pajisura të Serisë A: mbrojtje solide, sulme spektakolare dhe përzierja e duhur e fizikut dhe teknikës në mesfushë. Pa harruar stolat, thelbësorë në futbollin aktual me pesë zëvendësime.

inter juve

SULME SHPËRTHYESE – Sulmi më i mirë i kampionatit me 43 gola (ai zikaltër), kundër mbrojtjes bardhezi që është më pak e mposhtura (së bashku me atë të Napolit dhe Veronës) me vetëm 16 gola të pësuar. Por do të jetë edhe kryegolashënuesi dhe rekordmeni për gola të shënuar, Kristiano Ronaldo, kundër mbrojtësit më të mirë të kampionatit të kaluar, Stefan de Vraj. Do të mjaftonin këto të dhëna për të kuptuar se çfarë mund të pritet nga derbi i Italisë. Trioja e kolauduar e Kontes në prapavijë e ndërtuar nga Shkriniar, De Vraj dhe Bastoni, do të kenë si detyrë të ndalin dyshen Morata-Ronaldo (30 gola të shënuar në total mes kampionatit, Ligës së Kampioneve dhe Kupës së Italisë). Në frontin bardhezi, ndërkohë, mungesa e De Ligt dhe kushtet jo perfekte të Kielinit, i rikthyer titullar në Kupën e Italië pas 70 ditësh por ende larg formës optimale, detyrojnë Pirlon të bëjë zgjedhje të detyruara. Bonuçi dhe kapiteni do të përballen me fizikun e Lukakut dhe shpejtësinë e Lautaros (të dy 27 gola këtë sezon). Pikërisht sulmuesit argjentinas do t’i takojë detyra për të drejtuar presionin zikaltër për të bllokuar ndërtimin e Juventusit nga prapavija, nëse Bonuçi do të përfaqësojë sigurinë në nisjen e aksionit, dueli me Kielinin, më fizik dhe më pak i edukuar me këmbët, do të jetë një nga çelësat e ndeshjes.

KRAHËT – Loja e Interit të Kontes kalon nga krahët, ku Hakimi po fiton gjithmonë e më shumë besim në fazën mbrojtëse, që i shtohet një faze sulmuese mahnitëse, ndërsa Jang është përzierja e duhur mes iniciativës dhe eksperiencës. Në korsitë anësore do të luhet një ndeshje e vërtetë shahu, Kieza (në kushte jo perfekte pas problemit në kavilje të pësuar kundër Sauolos) dhe Danilo do të gjenden përpara Jangut, ndërsa në korsinë e majtë i riu Frabota do të duelojë me marokenin Hakimi. Një sfidë e zhbalancuar në letër, edhe pse rritja e anësorit bardhezi është e vazhdueshme dhe mund të dhurojë surpriza. Ndër të tjera si Aleks Sandro po ashtu edhe Kuadrado, pozitivë me COVID, mund të rikthehen në limite në rast tamponi negativ. Dhjetë ditët e izolimit, kur do të luhet derbi i Italisë, do të kenë kaluar dhe rikuperimi i njërit ose të dy anësorëve do të ndryshonte skenarin.

juve inter

DYNDJE NË MESFUSHË – Në mesfushë parashikohet betejë e vërtetë. Sfida parashikohet të luhet me armë të barabarta, duke u nisur edhe nga moduli identik (3-5-2). Kieza ka tendencë të sulmojë hapësirën në të djathtë, duke u shndërruar shpesh në një sulmues anësor. Dinamizmi i Barelës do të gjejë te Mekeni alter-egon e tij, pavarësisht kushtet jo perfekte të të riut amerikan, ndërsa premton shkëndija dueli mes Vidalit dhe Bentankurit, Kili kundër Uruguait, e kaluara e Juventusit kundër të tashmes. Në kabinën e “regjisë” për Konten do të jetë Brozoviç, ndërsa Pirlo do të kompletojë mesfushën me Ramsejin, anësor me liri inkursioni dhe detyra prej fantazisti.

STOLAT – Pas krahëve të Pirlos dhe Kontes, që kanë qenë mes protagonistëve të tri titujve të fituar mes viteve 2011 dhe 2014, dy stolat do të jenë arsenali nga ku trajnerët do të mund të mbështeten gjatë ndeshjes. Skuadra bardhezi, pavarësisht mungesave, mund t’i ofrojë “karta” fituese Pirlos: Kulusevski, Artur dhe Rabio janë në gjendje t’i ndryshojnë pamjen çdo sfide nga stoli, ndërsa Demiral do të mund t’i ofrojë Kielinit frymëmarrje në rast nevoje. Në frontin zikaltër lojtari i 12-të është Sensi, alternativa e Vidalit, por mund të jetë edhe Perisiç (kampion europë në fuqi me Bajernin e Mynihut) dhe Galjardini, punëtor i palodhur i Kontes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"