Jo vetëm në Shqipëri, edhe Barcelona ankesa për “fushën e patateve”. La Liga hetim për Vajadolidin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 12:21

Jo vetëm në Shqipëri, edhe Barcelona ankesa për “fushën e patateve”. La Liga hetim për Vajadolidin

Gjendja e rënduar e tapetit të fushës në stadiumin “Hoze Zorija” la të pakënaqur skuadrën e Barcelonës dhe futbollistët, dhe drejtuesit katalanas. Shumë prej tyre reaguan ashpër pas ndeshjes dhe kjo bëri që presidenti i Ligës spanjolle, Havier Tebas, të nisë hetimin ndaj skuadrës së Vajadolidit. Kreu i futbollit spanjoll tha se gjendja e fushës nuk përshtatet aspak me rregullat e vendosura për një futboll më të mirë në këtë kompeticion. “Fusha e stadiumit ‘Zorija’ nuk ishte në kushte të mira për zhvillimin e një ndeshjeje si La Liga. Është e qartë që do të hapim një proces disiplinor për të parë se kush janë përgjegjësit për këtë që ka ndodhur”, ka shkruar Havier Tebas.

Real Valladolid CF v FC Barcelona - La Liga

BUSKETS- Serxhi Buskets u tregua shumë i ashpër me organizatorët e ndeshjes dhe tha se ata nuk zbritën fare në fushë për të parë terrenin ku do të zhvillohej sfida. Ashtu si Pike, edhe mesfushori tha se kishin frikë nga dëmtimet. “Është e papranueshme të luajmë në një fushë të tillë. Nuk mund të presim futboll të bukur sepse ne kishim frikë nga dëmtimet. Më bëri çudi që asnjë nga organizatorët nuk mori mundimin që ta shihte terrenin e lojës dhe të merrte një vendim. Por, më vjen mirë që e fituam sfidën”, ka thënë mesfushori i skuadrës së Barcelonës, i cili pati realisht një moment ku mund të dëmtohej. Në të njëjtën linjë mendimi ishin edhe futbollistët e tjerë si Alba dhe Rakitiç.

NË AMERIKË- Duket se zhvillimi i një ndeshjeje të tillë në kushte të vështira i ka lënë të pakënaqur lojtarët e Barcelonës. Thuhet se ata janë përzgjedhur për të luajtur kundër Gironës në Amerikë, por kjo sjellje e Ligës nuk u ka pëlqyer dhe kanë shprehur indinjatën dhe dëshirën për të mos e pranuar ndeshjen në Amerikë. Megjithatë, ata kanë marrë premtimin nga drejtuesit e ligës se diçka e tillë nuk do të ndodhë më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"