Jo vetëm ndeshjen, Kastrioti humbi edhe mesfushorin në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 16:36

Jo vetëm ndeshjen, Kastrioti humbi edhe mesfushorin në kryeqytet

Kastrioti nuk arriti të dilte me pikë nga përballja me Partizanin në “Selman Stërmasi”. Pavarësisht humbjes, krutanët zhvilluan një lojë të mirë dhe me rastet e krijuara në fund të takimit edhe mund të kishin shënuar, por nuk arritën të konkretizonin si duhet rastet e krijuara.

juljan shehu

Vetë tekniku Plori, në përfundim të ndeshjes e pranoi se skuadra e tij luajti mirë dhe kishte raste për shënim, por nuk arriti të finalizonte si duhet, e për t’u përmirësuar do të punohet në ditët në vazhdim në seancat stërvitore. Megjithatë, krahas humbjes në fushë, krutanët humbën edhe një lojtar në sfidën e së shtunës, pasi mesfushori Juljan Shehu pësoi një dëmtim në shpatull dhe në minutën e 53-të dhe u detyrua të linte fushën e blertë.

Pas ndihmës së parë në fushë, Shehu u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës në kryeqytet për të marrë ndihmë më të specializuar. Por, nga grafitë e bëra nuk u arrit të zbulohej shkalla e dëmtimit dhe tashmë i duhet që të bëjë rezonancën magnetike. Krahas Shehut, krutanëve u mungojnë edhe dy lojtarë të tjerë, Taulant Marku dhe Emiliano Çela, të cilët që prej ndeshjes ndaj Skënderbeut, kanë mbetur të dëmtuar dhe gjatë gjithë këtyre ditëve kanë kryer stërvitje veçmas grupit. Megjithatë, duke qenë se kjo javë do të jetë pushim, për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare, deri në sfidën e javës së katërt, i gjithë grupi pritet që të jenë në dispozicion të trajnerit Elvis Plori.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"