Jo vetëm Mesi dhe Ronaldo, në “Rusi” shkëlqejnë 10 yje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 22:46

Jo vetëm Mesi dhe Ronaldo, në “Rusi” shkëlqejnë 10 yje

Pas 48 orësh në Rusi do të startojë Kampionati Botëror i Futbollit. Favoritët janë të zakonshmet, teksa Portugalia, Belgjika dhe ndonjë tjetër do të tentojnë surprizën. Nëse Ronaldo e Mesi kanë një duel personal që zgjat prej vitesh, Kupa e Botës mund të vendosë më të mirin mes tyre. Në “Rusi 2018”, skena do të jetë edhe për yje të tjerë gati për t’u vjedhur kurorën mbretërve.

boterori

TË PARËT- I pari në listë është pa dyshim Nejmar Jr që me Brazilin e tij do të tentojë titullin e gjashtë planetar për “Seleçaon”. Sulmuesi vjen nga një dëmtim i rëndë, por paraqitjet në miqësoret e fundit dhe goli ndaj Zvicrës janë një kartëvizitë, më se e denjë për 26- vjeçarin. Menjëherë pas tij vjen Muhamed Salah, që gjithashtu ka një dëmtim për të kapërcyer. Egjiptiani mban mbi shpatullën e dëmtuar shpresat e një kombi dhe do të tentojë t’i dhurojë një kalim të fazës në grupe, pas dështimit për t’i dhënë Liverpulit kurorën e Ligës së Kampioneve.

LA MANSH- Herri Kejn dhe Anglia e tij do të kërkojnë një tjetër titull, pasi i fundit daton gjysmë shekulli më parë. Përtej La Manshit, në Francë Kupa e Botës mungon prej dy dekadash, por nuk është se francezët kanë më pak etje për lavdi. Antuan Grizman dhe Kilië Mbape janë dy yje që duan të shkruajnë emrin me germa të arta dhe një ngadhënjim në tokën ruse do të ishte garanci për këtë dëshirë.

INIESTA DHE TË TJERËT- Andres Iniesta nëpërmjet titullit botëror do të mbyllte në mënyrë më të mirë karrierën e tij në kombëtare. Në këtë përpjekje do të tentojë ta ndalë ish-shoku te Barcelona, Luis Suarez, që në botëror e kujtojnë më shumë për kafshimin e katër viteve më parë ndaj Kielinit. Te Belgjika Kevin De Brujne dhe Eden Hazar kanë akoma për t’i dhënë kombëtares, por edhe për ta Botërori vlen një biletë për yjësinë e më të mëdhenjve. I fundit në listë, por jo më pak i rëndësishëm, Robert Levandovski do të tentojë të tregojë vlerat, pavarësisht se ndihma që do të ketë te Polonia nuk parashikohet si ajo e kolegëve nëpër kombëtare të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"