Jo vetëm Liga e Europës, Skënderbeu dhe Dinamo Zagreb bëjnë “luftë” për dy vëllezër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 23:12

Jo vetëm Liga e Europës, Skënderbeu dhe Dinamo Zagreb bëjnë “luftë” për dy vëllezër

Përfundimi i ndeshjes së kthimit mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit do të vendosë edhe për të ardhmen e dy vëllezërve kosovarë, të cilët janë në planet e dy klubeve për sezonin e ri futbollistik. Beteja zhvillohet për dy vëllezërit Sahiti, Emiri dhe Suati, që janë pjesë e skuadrës maqedonase të Rabotniçkit.

emir suat sahiti

Suat Sahit shikohet si zëvendësuesi ideal i Liridon Latifit, i cili pas ndeshjes së 24-gushtit përshëndetet me korçarët për të vijuar një aventurë të re në Hungari. Por, përveç Suadit, thuhet se në shënjestrën e korçarëve është edhe vëllai i tij, Emiri, 18 vjeç, që luan në të majtë si mesfushor i avancuar.

sahiti

Nëse Suad Sahiti konsiderohet çështje e mbyllur te Skënderbeu, pas ndeshjes së ditës së enjte mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit, ai pritet të ndahet nga vëllai i vogël, i cili pritet të marrë rrugën drejt Zagrebit. Sipas lajmeve që vijnë nga Maqedonia, futbollisti kosovar i Rabotniçkit, Emir Sahiti, me shumë gjasa karrierën e tij do ta vazhdojë te gjiganti kroat, Dinamo Zagrebi.

Portali “Infosport” ka njoftuar se Emiri është në bisedime me drejtuesit e klubit të Dinamos dhe pritet që ditëve në vijim të bëhet edhe një takim mes palëve. Skënderbeu të enjten do të përballet në ndeshjen e dytë të raundit “play off” të Ligës së Europës me Dinamon e Zagrebit, në “Elbasan Arena” dhe, sipas këtij portali, palët mund të shfrytëzojnë momentin që të takohen dhe të arrijnë ndonjë akord mes tyre.

Emir Sahiti

Kujtojmë që talenti kosovar, më 15 shkurt të këtij viti, ishte shumë pranë firmosjes së kontratës me Dinamo Zagrebin, mirëpo dështoi marrëveshja në moment të fundit, për shkak të një lëndimi të Ermir Sahitit. Gjithsesi, tashmë talenti 18- vjeçar është rikuperuar plotë- sisht dhe është në formë shumë të mirë, ndaj mund ta kryejë transferimin “bombë” te gjigantët e Kroacisë, Dinamo Zagrebi. Të enjten, të dy vëllezërit Sahiti pritet të jenë në “Elbasan Arena”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"