Jo vetëm Interi, për Paulo Dibalën futet në skenë dhe klubi i madh i Premier Ligës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 15:09

Jo vetëm Interi, për Paulo Dibalën futet në skenë dhe klubi i madh i Premier Ligës

Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Mauricio Arrivabene, u shpreh qartë përpara ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Sampdorias: “Paulo nuk është i vetmi me të cilin do të flitet për rinovimin në muajin shkurt, por janë edhe të tjerë. Gjithsesi, ne me lojtarët tanë që presin të flasin për kontratat e reja kemi marrëdhënie familjare, jo vetëm sportive, pasi te Juvja jemi diçka më shumë sesa thjesht një klub”.

dibala

Këto fjalë të bukura të Arrivabenes u duk se i lanë një shije të mirë jo vetëm Dibalës, por edhe tifozërisë bardhezi, por me sa duket, Paulo i cili ka parë nga Juventusi që të marrë një ofertë rinovimi me ulje nga çfarë ishte biseduar më parë, nuk e ka pritur aspak mirë shpenzimin kolosal për Dushan Vlahoviçin.

Fakti që serbi do t’i kushtojë Juves 75 milionë euro për kartonin, plus 7 milionë euro neto në sezon si rrogë (13 milionë në vit bashkuar edhe taksat), në sytë e Dibalës është parë si një mungesë respekti nga ana e klubit kundrejt tij.

Nëse në fillim të dhjetorit oferta prej 8.5 milionësh neto, plus 1.5 milionë bonuse dukej perfekte edhe nga ana e numrit 10, me të gjitha palët që ishin bërë gati të shtrëngonin duart, në fillim të janarit gjërat kanë ndryshuar dhe papritur oferta e Anjelit ka zbritur në 7 milionë euro neto, plus 2 milionë bonuse.

Kjo ulje me 1 milion ka ndezur shumë mllef brenda Paulos, i cili tashmë duket gjithmonë e më i shtyrë për të parë edhe ofertat e tjera, nëse në Torino gjërat nuk ndryshojnë. Dhe nga kjo situatë, përveç Mançester Sitit, Barcelonës dhe Interit, është Liverpuli i cili ka vendosur që të kalojë në kundërsulm në pritje të verës.

Trajneri Jyrgen Klop nuk e ka fshehur kurrë simpatinë për argjentinasin dhe me anë të drejtuesve të të kuqve ka vendosur që t’i plotësojë Dibalës të gjitha kërkesat financiare, madje të kalojë edhe përtej 10 milionëve neto në sezon, duke parë se nga 1 korriku 28- vjeçari do të jetë një lojtar me parametër zero.

Ftesa nga ana e Liverpulit është zyrtare tashmë dhe sipas burimeve pranë futbollistit, edhe Dibalës i pëlqen shumë destinacioni në fjalë, prandaj nëse në Torino nuk binden që të përmirësojnë ofertën për rinovim, sulmuesi mund të jetë gati që t’i thotë “po” Jyrgen Klopit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"