“Jo vetëm derbi, janë 6 finale”, talenti i Apolonisë me këmbë në tokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2020 | 19:51

“Jo vetëm derbi, janë 6 finale”, talenti i Apolonisë me këmbë në tokë

Ditët e fundit u trazua pak ambienti, pasi një lojtar i Bylisit, me të cilin Apolonia luajti një miqësore, rezultoi pozitiv. Gjithsesi, drejtuesit fierakë kanë pohuar se nuk ka asnjë lloj paniku dhe ekipi vijon i qetë përgatitjet për derbin. Ndeshjen e parë pas ndërprerjes së kampionatit Apolonia e luan më 10 qershor me Kukësin për çerekfinalet e Kupës, 4 ditë më pas vjen derbi. Të dyja ndeshjet luhen në Fier dhe është e qartë se rëndësi ka ajo e kampionatit.

Omeri

Veç të tjerash, bardhejeshilët po mundohen të rikuperojnë të dëmtuarit, të cilët përbëjnë thuajse gjysmën e formacionit. Ka ende kohë dhe shpresat për të pasur gati disa prej tyre janë të mëdha. Për të mbajtur ekipin në tonus dhe për të ndrequr defektet, fierakët kanë programuar sot një miqësore ndaj Besës, një prej 4 ekipeve të zonës “play off” të Grupit B, ku bën pjesë edhe Apolonia.

Ndeshja luhet në Fier, në orën 17:00. Në kampionat këto dy skuadra ndeshen më 28 qershor, ndaj dy stafet menduan të organizojnë testin e radhës për të krijuar një ide më të plotë për gjendjen e skuadrave.

OMERI – Një nga futbollistët premtues të Apolonisë, Stefano Omeri, ka lënë pas dëmtimin e pësuar para pezullimit të kampionatit dhe ka luajtur në miqësoret ndaj Egnatias dhe Bylisit. Ndonëse ka më tepër detyra mbrojtëse, ai ndërmerr shpesh inkursione sulmuese dhe ka shënuar 4 gola në kampionat.

I riu fierak flet me optimizëm për realizmin e objektivit të ngjitjes në Superiore. “Jemi duke i shërbyer objektivit tonë, po përgatitemi me kujdes. Janë 6 finale ndaj 3 kundërshtarëve më të fortë të grupit dhe llogaritë duhen bërë me kujdes. Asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë, si në fushën tonë, ashtu dhe në transfertë.

Duhet kujdes që të mos bëjmë asnjë gabim. Vëmendja është te Lushnja, sepse është ndeshja e parë në kampionat. Ka interes, sepse është derbi tradicional, por kjo s’do të thotë se do të neglizhojmë ndeshjet me rivalët e tjerë. Do t’i marrim takimet një nga një dhe në të gjitha do të kërkojmë fitoren”, shprehet për gazetën Omeri.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"