“Jetoj për golin, por fiksim kam elitën”, Lleshi: Jemi ndërtuar për t’u ngjitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2023 | 21:38

“Jetoj për golin, por fiksim kam elitën”, Lleshi: Jemi ndërtuar për t’u ngjitur

Ishte ndër të paktët lojtarë që “mbijetoi” nga sezoni i kaluar. Dhe dita-ditës po u konfirmon drejtuesve se nuk kanë gabuar aspak që e mbajtën. Jemi duke folur për Arsen Lleshin, protagonistin kryesor të fitores së fundit të Elbasanit.

LLESHI ELBASANI

23-vjeçari nuk e ka harruar “zakonin” dhe vazhdon të shënojë, njësoj si një vit më parë. Kujtojmë që ai mbajti peshën kryesore të ngjitjes në Kategorinë e Parë, madje u shpall edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 14 gola.

“ZAKONI”

“Bomberi” i elbasanasve është sidoqoftë modest, ndonëse i kënaqet rrjetës së fundit që shënoi. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, sulmuesi evidenton se bën thjesht detyrën kundër Besës dhe asnjë më shumë.

“Ne të gjithë e kemi të qartë se nuk ka asnjë ndeshje të lehtë dhe këtë e kanë treguar javët e para të kampionatit. Duhet të japësh maksimumin për të marrë pikët. Ndaj Besës mendoj se bëmë thjesht detyrën, sepse ne në çdo takim kemi si detyrë të fitojmë. Sa i përket aspektit personal, më vjen mirë që shënova dhe skuadra mori tri pikët.

Është një gol që shkon për tifozët që po na ndjekin kudo dhe janë një stimul shumë i madh për ne”, u shpreh fillimisht autori i dy golave këtë sezon me verdheblutë. Ai shënoi në përmbysjen ndaj Vorës pak javë më parë dhe ndaj Besës dy ditë më parë në stadiumin e Luzit.

VAZHDIMËSIA

Në Elbasan duan që të vijojnë serinë e rezultateve pozitive. Nga Luzi tashmë shkojnë në Peshkopi. Një tjetër transfertë e vështirë, por që verdheblutë duan ta fitojnë. Kjo është e vetmja formë për të qenë në “komandë”, gjë që e thekson edhe 23-vjeçari: “E rëndësishme është që të mos e ulim ritmin dhe tani të shpresojmë për një tjetër rezultat pozitiv edhe me Korabin, të cilin gjithashtu e vlerësojmë maksimalisht”.

OBJEKTIVI

Sa i përket aspektit personal, është një lojtar që nuk “fiksohet” me numrin e golave, por kërkon që në fund të jetë skuadra e kënaqur me rezultatin dhe jo thjesht ai personalisht. “Një sulmues jeton me golin dhe kjo është diçka që dihet.

Por, asnjëherë nuk duhet të jetë i fiksuar. Dua të shënoj thjesht për të ndihmuar skuadrën të marrë fitoren, sepse nëpërmjet golave vijnë edhe pikët. Ne jemi një klub i ndërtuar për t’u ngjitur dhe këtë e kemi të ngulitur të gjithë në kokë dhe të gjithë jemi në shërbim të skuadrës për t’i mundësuar të marrë maksimumin. Çdo objektiv tjetër është dytësor, që nëse vjen, mirë se të vijë”, përfundoi numri 22 i verdhebluve, i cili ka fituar edhe besimin e Nevil Dedes në këto javë të para.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"