“Jetoj me golin”, rrëfehet braziliani Nonato: Ndërrimi i këpucëve më solli fat, ju tregoj çfarë na dëmton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2022 | 22:30

“Jetoj me golin”, rrëfehet braziliani Nonato: Ndërrimi i këpucëve më solli fat, ju tregoj çfarë na dëmton

Patrik Karvalho Nonato është referenca e sulmit për skuadrën e Erzenit. Braziliani ka arritur të shënojë 3 gola deri më tani (2 në kampionat dhe 1 në kupë), si dhe ka fituar 2 penallti, që u kanë dhënë fitoren shijakasve në ndeshjet ku ai nuk ka shënuar. Në sfidën e fundit kundër Vllaznisë, braziliani shkurtoi shifrat në 2-1 pas një aksioni model, ku shfrytëzoi në maksimum asistitn e Xhelil Asanit.

Nonato

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 25- vjeçari flet për barazimin në Shkodër, momentin e mirë që po kalon, si dhe takimin e nesërm ndaj Kastriotit në “Niko Dovana”, ku shijakasit do ta luajnë pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës nga Disiplina.

Përshëndetje Patrik, pas disa ndeshjeve mungesë, keni gjetur sërish golin ndaj Vllaznisë, çfarë do të thotë kjo për ju?

Jam shumë i lumtur që u riktheva sërish te goli pasi të rritet dhe besimi në vete. Sulmuesi gjithmonë duhet të dëshirojë të shënojë dhe unë jam një futbollist që punoj shumë në stërvitje dhe dua gjithmonë të shënoj. Ky gol ishte i rëndësishëm pasi na dha një shtysë dhe na bëri të besojmë se mund të barazojmë ndeshjen, pasi pësuam dy gola në pjesën e dytë. Ekipi luftoi dhe morëm një pikë të rëndësishme jashtë shtëpisë. Ishte një rezultat i drejtë.

I ndërruat këpucët pas pjesës së parë, çfarë ndodhi?

I ndryshova takat pasi terreni ishte i rrëshqitshëm dhe vendosa të vishja në pjesën e dytë taka më të qëndrueshme që rezultuan fatsjellëse pasi shënova.

Ju keni fituar edhe disa penallti që i kanë dhënë tri pikë skuadrës dhe jeni sulmuesi kryesor i Erzenit. Është më e rëndësishme të shënosh gola apo të asistosh skuadrën?

Kanë qenë dy penallti që kam fituar ndaj Laçit dhe Tiranës, të cilat na kanë dhënë 6 pikë duke ndihmuar ekipin të ngjitet në klasifikim dhe e kemi plotësisht të merituar. Mendoj se kam bërë ndeshje të mira dhe kur goli nuk ka ardhur, por si gjithmonë më të rëndësishme janë pikët.

A i keni vendosur vetes një objektiv për numrin e golave në sezon?

Objektivi im i vetëm është të përmirësohem sa më shumë si futbollist, të luftoj fort për të ndihmuar ekipin si me lojë të mirë, asiste apo dhe gola. Rezultatet do të vijnë natyrshëm. Kemi një shprehje të ngjashme si në Shqipëri dhe në Brazil “ç’të mbjellësh do të korrësh” dhe ne kërkojmë në çdo ndeshje të marrim frytet e punës sonë.

Ndeshja e radhës kundër Kastriotit. A do të jetë e vështirë pa tifozët, sepse ata janë të ndaluar për ndeshjen e radhës?

Pres një lojë të vështirë ndaj Kastriotit pasi dhe ata po paraqiten mirë këtë sezon. Ne do të hyjmë për të luftuar çdo sekondë dhe shpresoj të shënoj. Është e rëndësishme që t’i fitojmë ndeshjet brenda dhe duhet te jemi shumë të kujdesshëm në lojën tonë. Uroj të marrim tri pikë në këtë ndeshje.

Tifozët tanë janë të mrekullueshëm, të cilët na kanë përkrahur në çdo ndeshje dhe me mbështetjen e tyre sigurisht që kemi fituar pikë të rëndësishme. Mungesa e tyre është faktor, por ne do të luftojmë deri në fund të lojës për t’u dhënë atyre një fitore.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"