“Jetimi” Ponari dhe “memecët” e sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2018 | 21:03

“Jetimi” Ponari dhe “memecët” e sportit

YLLI AGA

ylli aga

Dy shkrime të njëpasnjëshme të Presidentit të FSHB-së dhe njëkohësisht një prej biznesmenëve më të njohur në vend, Avni Ponari, prisja që do të shkundnin paksa opinionin tonë sportiv, pasi realisht ishte nga ato thirrje që vendosnin “gishtin në plagë” për një nga problematikat më të mëdha për sportin tonë. Por edhe kur kanë kaluar ditë, nuk ka pasur asnjë reagim nga shumë prej homologëve të tij që drejtojnë federata të ndryshme sportive dhe e zhvillojnë të gjithë aktivitetin e tyre me “thërrime” financiare dhe si rrjedhojë, shpesh vetëm për “sy e faqe”.

Nuk ka pasur asnjë reagim nga të gjithë ata njerëz të biznesit që financojnë aktivitete sportive dhe e bëjnë gjithçka vetëm për pasion, ndërkohë që duhet të jenë direkt të interesuar për këtë çështje. Gjithashtu, nuk ka pasur ende asnjë reagim nga titullarët e KOKSH-it, të cilët njohin në detaje vështirësitë, me të cilat përballet shumësportëshi ynë dhe zëri i tyre në këtë rast në mbështetje të shqetësimeve dhe propozimeve të Presidentit të FSHB-së mund të përafronte një zgjidhje të shpejtë, të logjikshme dhe mbi të gjitha të drejtë. Gjithashtu, në këtë betejë do të duhej të përfshihej edhe komuniteti i futbollit, që ndonëse nuk ka hallet e shumësportëshit, mungesa e ligjit për sponsorizimet e mban të lidhur me zinxhir kalimin në një fazë të re gjithë aktivitetin futbollistik në vendin tonë.

pONARI

Në fund, jo për nga rëndësia, por se i gjithë kjo problematikë do të duhet të përplaset mbi tavolinat e tyre dhe duhet të jenë pikërisht ata që duhet ta finalizojnë si proces dhe ta zgjidhin, politikanët. Ligji i ri i Sportit, pavarësisht dëshirës së mirë, nuk ka krijuar asnjë hapë- sirë që sporti të kishte më shumë financime nga ana e biznesit. Dhe një pikë e tillë në këto moment është kthyer në domosdoshmëri, duke qenë se mbështetja që vjen nga buxheti i shtetit është në shifra qesharake, ndërsa bashkitë, ndonëse kanë në dispozicion një portofol më të madh, sërish janë treguar koprrace për të financuar sportin.

Dhe në këtë pikë, shembujt janë pafund. Sportistë elitarë ankohen pafundësisht për mbështetjen e pakët dhe kushtet e vështira për t’u stërvitur. Sezonin e kaluar Vllaznia në volejboll për meshkuj fitoi për herë të parë në histori titullin kampion, por a dini me çfarë buxheti… vetëm 22 milion lekë të vjetra. Dhe në këtë shumë përfshihen edhe shpenzimet për udhëtime dhe akomodime në qytete të tjera. Në të tilla kushte, në mos më keq janë të gjitha ekipet, në çdo sport që luhet në vendin tonë. Ndërkohë me ndarjen e re administrative, shumë klube kanë humbur edhe atë buxhet minimal që merrnin nga ish-bashkitë dhe tanimë mbijetesa e tyre është vetëm çështje kohe.

Në këto kushte, një ligj i ri për sponsorizimet mund të jetë “varkë shpëtimi” për sportin tonë. Dhe në këtë betejë, thirrja e Presidentit të FSHB-së, Avni Ponarit, duhet mbështetur nga i gjithë komuniteti i sportit, që si një grup interesi mund të formojë një draft-projekt për t’ia deleguar Parlamentit, prej nga ku mund të zyrtarizohet një iniciativë, që mund të startojë një epokë të re për sportin tonë. Por që kjo sipërmarrje të finalizohet, duhet që komuniteti i sportit të lërë mënjanë xhelozitë dhe të harrojë kush e mban “flamurin” e protagonistit. Në këtë moment kërkohet një zgjidhje dhe vetëm një bashkim i komunitetit të sportit mund ta përshpejtojë dhe të bashkëpunojë me politikën për një zgjidhje në favor të një zhvillimi të qëndrueshëm për të gjitha sportet tona.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"