Jeta pranë bregdetit, rrëfehet Kamara: Ronaldo idhull, Durrësi shtëpi e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 20:21

Jeta pranë bregdetit, rrëfehet Kamara: Ronaldo idhull, Durrësi shtëpi e dytë

Barazimi me një kundërshtar të drejtpërdrejtë si Kukësi i dhuroi Teutës vendin e tretë në renditje, që preket për herë të parë në këtë sezon. Skuadra ka bërë hapin e madh, duke qenë forca e tretë e kampionatit dhe puna e skuadrës është shpërblyer. Protagonist në ndeshjen me verilindorët ishte Sekou Kamara, i cili i dha avantazhin provizor skuadrës së tij dhe gjithashtu gjeti rrjetën e parë sezonale. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai flet për takimin dhe emocionin e golit, gjithashtu për jetën e tij private dhe synimet e klubit bregdetar.

kamara

Një barazim ndaj Kukësit apo skuadra meritonte fitoren?

Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë dhe përballë kishim një kundërshtar të fortë. E dinim se asgjë nuk do ishte e lehtë. Kemi punuar shumë për atë takim dhe mendoj se meritonim diçka më tepër për mënyrën sesi shkuan gjërat. Por kështu është futbolli që nga një episod i vetëm mund të ndëshkohesh. Ishte një pikë që gjithsesi na jep motivim për të vazhduar përpara.

Çfarë nuk shkoi që skuadra nuk e ruajti avantazhin?

Ishte një pjesë e dytë, e cila nisi shumë shpejt dhe ne nuk arritëm të kishim të njëjtin qarkullim topi. Kjo mendoj se ndikoj te rezultati. Kishim një rast në fund që me pak fat mund të kishim dal nga ajo ndeshje me tri pikët.

Arritët të shënonit golin e parë në kampionat, si ndiheni?

Natyrisht jam shumë i lumtur që realizova, por doja që ai gol i imi të vlente tri pikët për skuadrën. Ndihem mirë këtu dhe shpresoj që me gola dhe me ndeshje të mira të shpërblej besimin e teknikut. Ky gol më ndihmon të bëhem më i fortë.

Mendoni se ky gol do jetë një shtysë për më shumë në aspektin personal? 

Pa dyshim që po. Dhe mendoj që jo vetëm goli, por siç thashë dhe besimi i profesorit tek unë është një shtysë akoma dhe më shumë. Punoj shumë dhe dua të jap gjithmonë më të mirën time, e pse jo të realizoj akoma dhe më shumë. Kur shënon ndihesh shumë mirë dhe të lejon të luash akoma më mirë dhe me vetëbesim.

Tani skuadra është në vendin e tretë. A mendoni se do ta ruajë pozicionin?

Jemi të lumtur që jemi aty, por nuk do thotë asgjë sepse kampionati është shumë i gjatë dhe gjithçka mund të ndryshojë brenda një jave. Ne kemi punuar dhe normalisht do të punojmë akoma më shumë dhe tani kemi akoma më shumë besim në aftësitë tona dhe jeni një grup i fortë. Është objektivi ynë dhe ne do luftojmë deri në fund të jemi aty, pse jo dhe më lartë.

Jeni ambientuar me qytetin e Durrësit?

Qyteti i Durrësit është i veçantë e njëkohësisht shumë i bukur. Më pëlqen dhe kam filluar të ambientohem në përgjithësi, të mësohem me të. Është si një shtëpi e dytë dhe këtu njerëzit janë shumë mikpritës dhe të dashur.

Si e kaloni kohën e lirë? Çfarë ushqimi ju pëlqen këtu?

Kohën e lirë pëlqej ta kaloj duke dëgjuar muzikë, pasi gjej një qetësi personale. Gjithashtu, më pëlqen të luaj “PlayStation” apo dhe të dal shëtitje me miqtë e mi. Sa i përket ushqimit të preferuar, mund të them që këtu çdo gjë është e mirë (qesh). Preferoj çdo gjë tradicionale të vendit tuaj, janë shumë interesante.

Cili futbollist është idhulli juaj? Po skuadra juaj e preferuar?

Idhulli im është Kristiano Ronaldo, sepse për t’u bërë “dikush” duhet të punosh shumë fort dhe pavarësisht pengesave duhet të luftosh. Ai është shembulli më i mirë. Për sa i përket skuadrës së preferuar mund të them Real Madrid, pasi është një klub me shumë histori dhe traditë në futbollin botëror.

Cilat janë synimet tuaja personale?

Ëndrrat apo synimet e mia personale janë të jem një lojtar sa më i perfeksionuar. Punoj shumë dhe dua të jap më të mirën time këtu ku jam dhe dua të falënderoj të gjithë te Teuta, pasi më kanë ndihmuar shumë.

Çfarë përshtypje keni për kampionatin shqiptar?

Mendoj se është një kampionat shumë i fortë, me pak diferenca dhe çdo skuadër ka një mentalitet të tijin dhe kjo e bënë akoma më të bukur. Është një kampionat shumë fizik.

Cili është kundërshtari më i fortë që keni luajtur deri tani? Kundërshtari më i fortë?

Nuk kam asnjë emër konkret, por nëse më pyet se cila është skuadra më e fortë do të them, pa dyshim që është Teuta.

ANARILDO ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"