“Jepjani topin Mbapesë”, zbardhet fjalimi i Deshampit në pushim e finales

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 16:33

“Jepjani topin Mbapesë”, zbardhet fjalimi i Deshampit në pushim e finales

Momente të tilla mund të shkruajnë historinë. Për to shkruhen libra, xhirohen filma, sepse ndodhin gjithnjë në momentet e një kthese të madhe. Të dielën e shkuar, në pushimin e finales së Botërorit mes Francës dhe Kroacisë, trajneri Didie Deshamp mori një përgjegjësi të madhe: të mbante fjalimin për të karikuar skuadrën. Kanali shtetëror francez TF1 xhiroi të gjitha 15 minutat në dhomën e zhveshjes së “Les Bleus” në “Luzhniki”.

deshamp

Atje ku Didi mori fjalën për të karikuar djemtë e tij të rinj, që të bënin të njëjtën si ai 20 vite më parë. Me rezultatin 2-1 për Francën, Kroacia kishte dhënë sinjale se ishte ende në garë. Dy golat e francezëve (autogoli i Manxukiçit dhe penalltia e Grizmanit) lindën nga dy episode. Blutë nuk po tregonin ende se ishin superiorë. Madje po vuanin. Për këtë duheshin fjalët e duhura që të karikonin disa lojtarë, që edhe ishin trembur.

DESHAMP – “Ata përdorin bërrylat, janë agresivë, por ne jemi duke i kontrolluar. Kujdes Manxukiçin, nuk duhet të jemi statikë, duhet bllokuar. Ata do vazhdojnë të luajnë ende në mënyrë agresive. E keni parë të gjithë energjinë që po japin. Luani sa më thjesht që të jetë e mundur.

2 deshamp

Kur keni topin, nëse keni dikë afër dhe pastaj iu afrohet një tjetër, pasojeni topin. Jepjani Kiliësë (Mbapesë) sa më shpejt që të jetë e mundur. Edhe 45 minuta, vetëm 45 minuta! Antuan, ktheu pak më shumë gjatë kundërsulmeve. Po qëndron shumë lart, pranë sulmuesve. Na duhet të jesh një alternativë”.

LOJTARËT – Pogba ndërhyri: “Bëhuni optimistë”! Ndërsa ishte Varan ai që donte të thoshte fjalën e fundit përpara se të përplaste tavolinën: “Mos u merakosni shumë për vendosjen. Djema, është e gjitha në kokë. Bëhuni pozitivë, besoni. Do ta fitojmë këtë ndeshje. Edhe 45 minuta, forca!” Në vërshëllimën finale të Pitanës blutë u rikthyen kampionë, 20 vite pas kapiten Deshampit. Dhe në kthimin në dhomën e zhveshjeve, fjalimet ia lanë vendin festës…

3

PARA NDESHJES – Përpara finales, Pogba mbajti një fjalim të gjatë lideri. “Djema, unë nuk dua të flas gjatë. Të gjithë e dimë ku jemi. E dimë sa larg kemi shkuar. E dimë në zemër, në sytë tanë. Mund ta shoh, jemi të përqendruar. S’mund ta harrojmë. Ndoshta po përsëris veten: Jemi 90 minuta larg historisë. 90 minuta, një ndeshje. Nuk e di sa ndeshje kemi luajtur në karrierë, por kjo është vetëm një, ajo që ndryshon historinë.

Ka dy skuadra për një trofe. Është njëlloj edhe për ta. Edhe ata e duan. E dimë që kemi humbur një finale në “Euro 2016″. E ndiejmë këtu (bën shenjë nga zemra). Është ende në mendjen tonë. Sot nuk do lejojmë një skuadër tjetër të marrë atë që është e jona. Sot duhet të jemi në kujtesën e të gjithë popullit që po na shikon, fëmijëve të tyre, nipërve dhe stërnipërve. Dua të hyjmë në fushë si luftëtarë, si liderë”, tha mesfushori dhe përplasi tavolinën.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"